Tirana pa ujë, Ujësjellësi i “Lalit” tender 100 mln lekë për fasadë
Në një kohë kur shumë familje në kryeqytet kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë planifikon të shpenzojë më shumë se 100 milionë lekë për “fasadë”.
Tenderi
UKT, institucion nën varësi të Bashkisë së Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, ka hapur tenderin me objekt “Brandim i 6 pikave të reja të UKT sh.a”. Fondi limit është caktuar 10,686,329 Lekë. Dokumentat zyrtare të tenderit sqarojnë se burimi i financimit janë të ardhurat e vetë institucionit.
Ndërkohë, kompanitë fituese të interesuara për të marrë pjesë në tender kanë kohë deri më 18 shtator – ora 09:00, për të paraqitur ofertat e tyre.
Çfarë do të blejë konkretisht UKT? Në dokumentat zyrtare të tenderit sqarohet se shumë prej më shumë se 100 milionë lekë (të vjetra) do të shpenzohen për blerjen e 4 artikujve që do të shërbejnë për reklamimin e 6 pikave të UKT-së.
Më konkretisht:
• 105.15 m2 “adeziv akull + printim dhe prerje i montuar në xhama pas pastrimit të tyre nga ngjitës të vjetër me solucion anticol dhe montim”,
• “Printim në forex 3mm, cilësi indor” – 12.60 m2.
• “Letër murale me reliev e printuar ne teknologji indoor latex ekologjike + parapërgatitje e murit dhe montim” – 741.63 m2.
• “Tabelë etalbond me prerje ne freze+shkrim plexiglass 3D me ndricim led modul+mekanizëm për ndezje automatike ne orët e natës dhe montim” – 36.90 m2.

E thënë më thjeshtë, shuma e parave do të shpenzohet me qëllim që qytetarët të dallojnë që 6 pikat e UKT-së, janë të tilla.
UKT, ndërkohë, zgjedh që shumën e parave prej 100 milionë lekësh ta kanalizojë në reklama, teksa nuk arrin të kryejë funksionin bazë që ka si institucion – sigurimin e furnizimit me ujë të familjeve e bizneseve në Tiranë.
Qytetarët e Tiranës, si në çdo stinë vere, përballen me mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre.
Këtë vit, situata është akoma më problematike, për shkak se mungesa e uijit të pijshëm ose cilësia e tij larg standarteve normale, mund të ndikojë në përhapjen e pandemisë Covid-19.
Furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë i kryeqytetit, një premtim i kryebashkiakut Erion Veliaj kur vendosi për rritjen e tarifave të ujit pak vite më parë, rezulton të jetë ende i pambajtur.
Bashkia e Tiranës në fakt, edhe pse është qeveria lokale me buxhetin me të madh ndër 61 bashki në vend, ka zhgënjyer qytetarët në lidhje me shërbimet. Një anketë e PNUD-programi i Kombeve të Bashkuara, realizuar në muajt e parë të vitit 2020 – rezultatet e së cilës u publikuan së fundmi, tregoi se Tirana është larg së qeni bashkia më e mirë, kur vjen fjala për kënaqësinë me shërbimet.BoldNews.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



