Dy vëllezër nga Pogradeci u gjetën sot të pajetë në një fushë pranë fshatit Maliq të Korçës.
Ngjarja është e mbuluar nga misteri, ndërsa paraprakisht dyshohet se ata kanë humbur jetën me armë zjarri.
Mësohet se dy vëllezërit Andi dhe Martin Olldashi, 33 dhe 31-vjeç, kanë qenë të proceduar më parë për vjedhje banesash si dhe për vendosjen e tritolit në lokalin e ish-futbollistit Gjergji Leka, ngjarje e ndodhur në vitin 2012.
Sipas policisë ata kishin tre ditë që ishin larguar nga banesa e tyre, ndërsa sot u gjetën të vrarë nga banorët e zonës në vendin e quajtur “Kisha e Vogël”.
Martin dhe Andi Olldashi, 33 dhe 31-vjeç, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri
Sipas policisë, me datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.



