Presidenti Meta dekreton gjyqtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese
“Lajm i madh. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar përparim Kalon si gjyqtar të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të bëjë betimin nesër, do të krijohet kuorumi. Shqipëria do të përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale, duke përfunduar periudha gati 3 vjeçare e mungesës së saj”- shkruan midis të tjerash.
“Ky është rezultat i veprimit urgjent nga udhëheqësit, në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias. Me një Gjykatë Kushtetuese funksionale, Flamuri i Shqipërisë tani plotëson 1 nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap gjigand përpara. Urime për popullin e Shqipërisë! Le të vazhdojmë të ecim përpara!“- shton më tej.
KED i dërgoi sot kreut të shtetit dy kandidatura, përkatësisht të Kalos dhe atë të Aleksandër Tomës.
Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë tanimë këtë gjykatë funksionale dhe duke përmbushur një kërkesë të ndërkombëtare për vënien në funksion brenda këtij viti.
Gjykata Kushtetuese e përbërë nga nëntë anëtarë dhe e themeluar në vitin 1992, doli jashtë funksioni në korrik të vitit 2018.

Si doli jashtë funksioni Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese kishte nëntë anëtarë në vitin 2015, kohë kur ishte në funksion të plotë. Por në prill të vitit 2016, gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati.
Sipas kushtetutës, Kristo duhej të vijonte të mbante detyrën në pritje të zëvendësimit, por në korrik të vitit 2017, Kristo njoftoi se nuk dëshironte më të vijonte punën dhe u tërhoq. Tërheqja nga vijimi i punës pas përfundimit të mandatit e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut, por ndërkohë la efektivisht bosh një pozicion që për mbi një vit nuk ishte plotësuar.
Në të njëjtën kohë, anëtari Sokol Berberi vendosi të tërhiqej nga pozicioni pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Largimi i Berberit e uli në shtatë numrin e anëtarëve efektivë të Gjykatës Kushtetuese.
Besnik Imeraj, i cili ishte emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2013, dha dorëheqjen në janar të vitit 2018 “për arsye personale dhe shëndetësore”. Imeraj i shpëtoi procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori. Rezultati i referimit nuk dihet. Dorëheqja e Imerajt e uli numrin e gjyqtarëve kushtetues në gjashtë.
Fatos Lulo ishte anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtari i parë që iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Lulo zgjodhi të mos paraqitej vetë në komision por dërgoi një avokat. Ai e apeloi vendimin e komisionit ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzoi kërkesën e tij më 17 qershor.
Më 23 prill, Altina Xhoxhaj ngeli në veting për mospërputhje deklarimesh, mos justifikim pasurie dhe mungesë të ardhurash.
Më 10 maj 2018, vetingu rrëzoi Fatmir Hoxhën, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese me tre anëtarë ndërsa në korrik, Gani Dizdari, i fundit që iu nënshtrua vetingut, u shpall gjithashtu i papërshtatshëm.
Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por në seancën dëgjimore u ngritën pikëpyetje të mëdha mbi burimet e krijimit të pasurisë së tij. Vendimi i zbardhur i komisionit zbuloi se komisionerët ishin të ndarë në opinionin e tyre nëse Dedja do të duhej të provonte me dokumente se persona të lidhur me të kishin të ardhura të ligjshme për t’i dhënë atij hua për blerjen e një apartamenti me vlerë 180 mijë euro.
Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të gjykatës Kushtetuese, gjyqtarja Vitore Tusha, e cila u konfirmua në 5 prill, është tashmë e konfirmuar në detyrë dhe vendimi nuk është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës
23 dhjetor 2020
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka administruar sot nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e parakohshme).
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 59, datë 23.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, e rishpallur në datën 27.09.2019 dhe e rishpallur për herë të tretë në datën 24.09.2020, me renditjen e kandidatëve si më poshtë:
1) Përparim Kalo 90.29 Pikë
2) Aleksandër Toma 75.57 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11882, datë 23.12.2020, ka vendosur që:
– Zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



