E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vetingu/ 109 gjyqtarë e prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë
Publik News

Vetingu/ 109 gjyqtarë e prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë

Nga fillimi i procesit e deri në datën 9 shkurt 2021,kanë kaluar në filtrin e procesit të rivlerësimit 266 gjyqtarë dhe prokurorë. Pas përfundimit të rivlerësimit janë konfirmuar në detyrë janë 111, ndërsa rezultojnë të shkarkuar 109 nga numri i përgjithshëm i të rivlerësuarve.

Të dhënat tregojnë se 46 prej tyre janë dorëhequr nga detyra për arsye të ndryshme për të mos u bërë pjesë e procesit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili po merret me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka një mandat 5- vjeçar dhe brenda kësaj kohe duhet të përfundojë rivlerësimi për 800 emra.

Deri në këtë fazë të procesit, dorëheqjet nga sistemi përbëjnë gjysmën e të larguarve, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar për secilën nga shtyllat mbi bazën e së cilës është bazuar edhe vlerësimi. Por, në kohën kur ka kaluar më shumë se gjysma e afatit kushtetues, në filtër kanë kaluar me pak se gjysma e njerëzve që këto 30 vite kanë dhënë drejtësi në Shqipëri.

Ecuria e procesit më të dëshiruar për shqiptarët që nuk kanë marrë drejtësi, duket se nuk ka përmbushur pritshmëritë e realizimit në aspektin kohor. Ritmet e ecurisë së vetingut janë përfshirë edhe në një raport të Avokatit të Popullit ku thuhet se, nëse vazhdohet me këto ritme, procesi në shkallën e parë pritet të mbarojë për 8 vite e gjysmë. Për këtë arsye ata kanë rekomanduar shtimin e trupave të komisionerëve si një zgjidhje që mund të fitojë kohë. Sipas ligjit pas mbarimit të afatit 5-vjeçar, rivlerësimi do të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor. Procesi i vetingut është asistuar me shumë kujdes edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila i ka vlerësuar procedurat e ndjekura në procesin e vlerësimit të njerëzve të drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Kolegji i Apelimit (KA) dhe Komisionerët Publikë janë tre institucionet e vetingut që po merren me rivlerësimin e kandidaturave dhe përbëhen nga 27 anëtarë. Për të përcaktuar nëse do të vazhdojë apo jo të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë, çdo emër që futet në veting vlerësohet në tri shtylla, Vlerësimi i Pasurive, Kontrolli i Figurës dhe Vlerësimi i Aftësive Profesionale.

Strasburgu rrëzon gjyqtaren Altina Xhoxhaj

Me shumicë votash, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka cilësuar të rregullta procedurat e Vetingut që çuan në shkarkimin e gjyqtares Altina Xhoxhaj.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, shpalli dje vendimin për çështjen Xhoxhaj, duke vendosur me shumicë votash se procedurat e vetingut që çuan në shkarkimin nga detyra të ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, nuk ishin në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike”, u shpreh GJEDNJ nëpërmjet një njoftimi për median. “Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”, shtoi GJEDNJ.

Altina Xhoxhaj ishte një ndër pesë anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua nga procesi i vetingut. Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari po ashtu u shkarkuan nga KPKja dhe për dy të parët vendimi u konfirmua edhe në KPA-ja, ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Më herët nga Gjykata ishin larguar përmes dorëheqjes Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe para procesit të rivlerësimit Besnik Imeraj. Xhoxhaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ndërsa më herët ka punuar si juriste në Ministrinë e Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2006-2010 dhe lektore në Shkollën e Magjistraturës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.