E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dita e verës dhe zotat e popullit tim pagan!
Publik News

Dita e verës dhe zotat e popullit tim pagan!

Sot është dita e verës, njëra prej festave më të rëndësishme të popullit tim pagan. Për ta përforcuar këtë ide ish kryemisnitri pijetar e qejfli i shqiptarëve  Fatos Nano e bëri edhe festë zyrtare, pra ditë pushimi ku njerëzit mund të hanë ballokume dhe të dëfrejnë për celjen e luleve dhe ngrohjen e kohës. Pra një mundësi më shumë për të mos shkuar në punë.

Dekada më parë shkon një besimtar tek Hafiz Ibrahim Dalliu (rahmet i pastë shpirti) dhe i thotë:

“Hafiz efendi, shqiptarët po dalin prej dinit të islamit (prej fese)”

Hafizi buzeqeshi dhe thirri kamarierin që i shërbente hoxhallarëve  kafe e çaj për 30 vjet rrjesht dhe i thotë këtij të shqetësuarit:

“hapi syte e veshët tani dhe degjo!”

Hafizi e pyet çajxhiun dhe i thotë:

“Te keqen baba, a i trego babës kush është pejgamberi i myslimonve?!

Çajxhiu i pergjigjet rrufeshëm:

“Hazreti Ademi eshte hafiz efendi”.

Mire t’keqen baba i thotë hafizi mund të shkosh.

Pasi shkoi çajxhiu, hafizi i drejtohet këtij të shqetësuarit dhe i thotë:

“E dëgjove çajxhiun?! Ka tridhjetë vjet që i shërben hoxhallareve kafe e çaj dhe nuk ia ka idenë se kush është pejgamberi myslimonve”.

Tani t’keqen baba -vijon hafizi- ik se e ruan vetë Perenia fenë e vet, nuk e ka lënë në dorë të këtyre. Shqiptarët t’keqen baba nuk kanë hy akoma në fe, kështu që një gjo që s’ka hy, s’ka si me dale lum baba!”

Me këtë perlë të hafizit bindem se populli im i dashur, e ka shumë të vështirë të ambjentohet me Krisht e me Muhamed. Duken sport i rëndë për ta, fetë monosteiste. Nuk e kanë aspak të lehtë të jenë katolikë, ortodoksë, muslimanë, apo protestantë. Madje unë kam dyshime të forta se mund të kenë qenë ndonjëherë të krishterë apo muslimanë. Këtë bindje që më bezdis dhe më tremb edhe mua, ma përforcon fakti se jemi rasti i vetëm në historinë e njerëzimit që ka shëmbur më kazma e me lopata minare e këmbanare dhe i ka kthyer në stalla derrash kisha e xhami. Nuk ka guxuar asnjë popull i dytë në historinë e njerëzimit ta bëjë një marrëzi si kjo. Ka patur luftëra dhe ushtri që kanë shkatërruar cfarë kanë gjetur tek popujt që kanë pushtuar por që një popull ta bëjë këtë me duart e veta nuk ësshtë regjistruar kurrë më parë në historinë e njerëzimit.

Disa prej tyre besojnë, por pjesa më e madhe bën sikur, përndryshe nuk mund të ishin kaq pehlivane dhe hileqarë të mëdhenj. Në nuk do të kishim një krizë kaq të thellës shoqërore, politike dhe kulturore sikur të besonim diku. Në në thelb nuk besojmë tek asgjë dhe një pjesë e mirë e atyre që besojnë thonë  më mirë të besojmë që të jemi brenda. Po pati Zot e kemi të kapme, po nuk pati nuk është se humbasim ndonjë gjë të madhe duke besuar. Madje po të hysh në analiza të thella do të gjesh se kurthet dhe intrigat më të tmerrshme, urrejtja, smira, xhelozia, mashtrimi, bërrylat, kollaret, konkurenca, dalldia, ushtrohen paradoksalisht tek rrethet e atyre që shiten si besimtarë të mëdhenj. Kjo po lind një fenomen të ri masiv, kur njerëzit thonë, besojmë në Zot por nuk besojmë më tek fetë. Kjo sepse ata e kanë dalluar që pjesa kryesore e klerit zyrtar është mëdjall se vetë djalli dhe se nuk janë asgjë më shumë se anekse të manualeve të masonerisë ndërkombëtare.

E ndrrojnë fenë per dokumenta. E nderrojnë për toka. E ndrrojnë dhe e shesin fenë për karrierën dhe për një rrogë më të mirë. E ndrrojnë për  një makinë të bukur. E ndrrojnë dhe e shesin sepse ashtu është një muhabet. E ndrrojnë dhe e shesin fenë për bukën e kalamajve, por mund ta bëjnë këtë edhe për hatër të dashnores. E ndrrojnë apo e shesin për t’u bërë të famshëm dhe për të kapur lajke në rrjetet sociale. Nëse trendy është ateizmi shpallen ateistë. Nësë është trendy i krishter bëhen të krishterë. Nëse është protestant bëhen protestantë. Kur ishte trendy i osmanëve u bënë muslimanë e kështu me radhë.

Prej fenomeneve që më shqetësojnë dhe më trembin më shumë në Shqipëri është fakti se; Krishti dhe Muhamedi janë më pak të famshëm se Rama, Basha, Berisha, Meta, Veliaj dhe Kryemadhi. Pra këta janë më të rëndësishëm për shqiptarët se dy profetët më të rëndësishëm  të njerëzimit. Kjo ndodh sepse shqiptarët në subkoshiencë  i konceptojnë ata si zotat e tyre. Zotat e tyre që i mbështesin tetë vjet dhe pas tetë vitesh i hanë si të ishin ballokume me gjalpë e më sheqer. Ata gjejnë vend pune, ata të bëjnë deputet, ata të bëjnë ministër, drejtor, të bëjnë më makinë të bukur, me dashnore, më pushime të mira, me shtëpi të bollshme. Pra në një farë mënyrë ata janë zotat që përmbushin nevojat e tyre immediate dhe ata i adhurojnë. Sot kanë vërshuar Zotat e shqiptarëve në Elbasan dhe po rrihen me njëri-tjetrin për të demostruar përballë popullit të elbasanit dhe të gjithë shqipërisë provën e forcës. Pra cili prej zotave është më i fortë. Disa e luajnë dyshe, njëherë i falen Zotit që nuk duket, ndërsa në darkë i falen zotave që japin më shumë para, pushtet dhe poste.

Pra në thelb ky popull është pagan dhe ndoshta për nevoja gjeopolitike apo ekzistenciale e ka dredhur këtë historinë e fesë ku ka preferuar të bëhet përgjithësisht me fenë e të fortit. Shqiptarët po festojnë sot festën e tyre të vërtetë dhe nuk ka asgjë për t’u habitur. Ata nuk kanë qenë asnjëherë asgjë specifike, por më shumë kanë qenë dicka prej të gjithave sepse kjo është një strategji e mirë, për ta patur një këmbë gjithandej.

Ky është një mallkim që mbase do të ndjekë gjatë, ndoshta jo krejtësisht për fajin tonë, por edhe për fajin e të huajve të cilët me të gjitha shërbimet që morën prej këtij populli mercenarësh që ka vrarë me pagesë për llogari perandorish përgjatë historisë së tij, shihet ende sot me përbuzje të madhe. Një pjesë e Perëndimit na sheh si tradhëtarë të krishtërimit dhe një pjesë e rëndësishme e osmanëve na sheh si tradhëtarët më të rrezikshëm të Perandorisë, pavarësisht këtyre filmave gjeopolitikë me vëllazëri e me motërsi.  Lindja Ortodokse dhe Muslimane nuk na besuan kurrë, ndaj dhe sytë i kanë më fort tek Beogradi.Edhe kur besojnë ndonjë personazh këtu brenda ata besojnë dhe mbështesin hallkën më të dobët. Pra duan dikë pa personalistet, pa identitet, pa mend, pa tru, që të jetë plastelinë tek duart e axhendave të tyre. Perëndimi Katolik dhe Protestant nuk na besoi kurrë, ndaj i ka më shumë sytë tek Athina dhe Beogradi. Nuk e di a mund ta them se ne ua kemi futur të gjithëve, apo na e kanë futur ata ne, por për një gjë jam i sigurtë, se me stilin e të qenit asgjë nuk do të ekzistojmë gjatë si Komb. Ky mund të jetë një parashikim i imi, mbase edhe i gabuar apo i calë, pork am dëshirë gjithmonë të mendoj me zë të lartë edhe atëherë kur kjo mund të ketë kosto të larta.

Ju bëfshin mirë ballokumet populli im i dashur pagan. Zoti na ktheftë të gjithëve kah e mbara dhe ditë më të bardha ardhshin për ne, një prej popujve më të hutuar në Planet!/Puls7.com

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.