SKEMA/Si u vodhën 4 milionë lekë nga hajdutët elektronik!
Katër persona kanë përfunduar në pranga dhe tetë të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që një është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Ky është bilanci i operacionit i koduar “Phishing”, hetimet për të cilin kanë nisur në vitin 2020 pas denoncimeve të disa shtetasve për “Mashtrim kompjuterik”
ARRESTIMET
Midis katër personave të arrestuar, dy prej tyre janë nga Kameruni, vend në Afrikën Qendrore. Në pranga përfunduan shtetasit: Donald Anu, 34 vjeç, alias Ugochukwu Emmanuel Emereibenu, nga Kameruni, por edhe me nënshtetësi nigeriane, i cili mësohet se ka ardhur në vendin tonë në vitin 2018. Ai është ‘truri’ i grupit të strukturuar. Në pranga përfundoi edhe Marie Goufan, 31 vjeçe, nga Kameruni, si dhe shqiptarët Fatbardh Danja, 40 vjeç dhe Xhentil Kupe, 54 vjeç, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë shtetasja H. M., nga Kameruni, banuese në kryeqytet.
SKEMA E MASHTRIMIT
Prokuroria e Tiranës bëri me dije se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit të pagesës nëpërmjet postës elektronike. Ata arrinin të mashtronin shtetas të ndryshëm nëpërmjet krijimit të subjekteve tregtare fiktive, duke ridrejtuar transaksionet bankare të subjekteve tregtare. “Goditja e kësaj skeme kriminale realizohet për herë të parë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thekson Policia e Shtetit.
Zyrtarisht, Policia dha detaje se si funksiononte grupi nëpërmjet skemës së njohur si “mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”. “Këta shtetas, në bazë të dyshimeve, së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare.
Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik, ata kanë qëndruar të ‘fjetur’ derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re.
Ata, duke qenë në brendësi të komunikimeve, kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje të njëjtë me të vërtetin”. Për të bërë që skema të funksiononte, këta shtetas, sipas Policisë, kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur, ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.
VJEDHJA 4 MILIONË EURO
Policia e Tiranës dhe Prokuroria bënë me dije se grabitja e këtij grupi kriminal nëpërmjet mashtrimit kap shifrën e 4 milionë eurove përgjatë një periudhe 2- vjeçare. “Deri më tani dyshohet se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin e tyre kriminal për një periudhë të gjatë kohore prej rreth 2 vjetësh dhe së bashku me shtetas të paidentifikuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të kenë kryer mashtrime të pagesës nëpërmjet postës elektronike në një shumë prej rreth 4.000.000 eurosh”, sqaron Policia.
Nga hetimet, janë evidentuar llogaritë bankare të hapura në bankat e nivelit të dytë dhe në bashkëpunim të ngushtë me këto banka janë mbajtur në kontroll transaksionet e kryera nga këta shtetas nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara prej tyre, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Policia tha se vlerat monetare të evidentuara dhe të dyshuara si të ridrejtuara si pasojë e kësaj skeme kriminale janë rikthyer tek subjektet që i kanë dërguar ato duke minimizuar dëmin dhe viktimat e mundshme.
Gjatë operacionit, është sekuestruar 1 automjet i markës ‘Huyndai’, 1 laptop, 11 telefona celularë, 20 karta SIM, 2 pajisje kompjuterike tablet, tri vula subjektesh, 8 karta krediti/ debiti, 9 karta memorie dhe pajisje të tjera. Gjithashtu, janë sekuestruar dokumente të ndryshme si vërtetime bankare, fatura bankare, fotokopje pasaportash shtetasish shqiptarë e të huaj, ftesa për leje qëndrimi, kontrata të ndryshme noteriale, prokura përfaqësimi etj. Autoritet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
SUBJEKTET E MASHTRUARA SIPAS SHTETEVE:
1-SHBA
2-GJERMANI
3-ANGLI
4-TURQI
5-BELGJIKË
6-ZVICËR
7-FINLANDË
8-LITUANI
9-FILIPINE
SUBJEKTET FIKTIVE TË REGJISTRUARA NË QKB:
1-CONNECTA
INTERCONTINENTAL
SHPK
2-WORLDWIDE GO LTD
3-WORLDWIDE
TRADING LIMITED
4- AFRICAN-ALBANIAN
COMERCE
5-KWOK TANG SHPK,
6-KRACO LIMITED SHPK
7-MICHAEL ODYLON
LAGMON ROMERO SHPK
8-PILATUS AIRCRAFT
LTD SHPK
9-TANG KWOK YUE
SHPK
10-LEKLIFARM GLOBAL
sh-p-k
11-MAIBOM GBMH
12-HORTIFEEDS
13-TEST FUCHS GBMH
14-GS ECOMETAL CO
LTD
15-ECI
PHARMACEUTICALS LLC
16-AGNES KATBETH
KREIMER
17-XHENTIL KUPE
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



