Gledis Nano po planifikon levizje të shumta në polici
Pas emërimit të drejtorit të ri, në policinë e shtetit pritet të sjellin ndryshime rrënjësore, që do të prekin jo vetëm kupolën e policisë, por edhe drejtorët vendorë, shefat e komisariatit e të rendit.
Mësohet se drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, është njohur me vlerësimin që drejtorët vendorë u kanë bërë shefave të komisariatit. Sipas news24, nga nesër do të njihet me rezultatet e analizës 9 mujore në çdo drejtori vendore në vend. Analiza pritet të përfundojë këtë javë dhe më pas do të bëhen lëvizje drejtuesish.
Lëvizjet do të bëhen duke u bazuar në performancën e gjithsecilit nga drejtori i qarkut, shefi i komisariatit dhe ai i rendit dhe sigurisë publike. Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit e departamenteve në Policinë e Shtetit.
Vendimi i parë i Gledis Nanos
Pak ditë më parë, Gledis Nano, në vendimin e tij të parë, ka vendosur që t’u kompensohet detyrimi i prapambetur financiar të gjithë efektivëve të policisë, për orët shtesë të papaguara përgjatë viteve.
Paratë për orët shtesë do të paguhen nga fondet e policisë, por edhe nga paratë e konfiskuara nga krimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



