“Baza e PD po bombardohet me shpifje ndaj meje” / Basha: Sa të jem unë kryetar nuk ka…
Lulzim Basha deklaron se të zemëruarit dhe keqkuptuarit e vendimit të tij për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat po i përsërisin spekulimet e shpifjet që i kanë drejtuar në 16 vite politikanët e Partisë Socialiste.
“Unë e refuzoj arenën ku më ftojnë spekulimet dhe shpifjet e ricikluara të listës tëtevjeçare, apo gjashtëmbëdhjetëvjeçare të kundërshtarëve të mi politikë në Partinë Socialiste, që sot i recitojnë të zemeruarit dhe të keqkuptuarit me vendimin tim për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së me kërkesën e SHBA për shkak të shpalljes së tij non gratta prej tyre”, ka deklaruar Basha në mbledhjen e grupit parlamentar.
Basha thotë se do të vazhdojë t’i injorojë këta zëra, që sipas tij, po bombardojnë prej disa javësh anëtarësinë e Partisë Demokratike.
“Nuk e kam parë të arsyeshme të reagoj kundër spekulimeve, gënjeshtrave e shpifjeve të ulëta ndaj meje me të cilat po bombardohet prej disa javësh anëtarësia e Partisë Demokratike dhe opinioni publik. E kam përjashtuar dhe vazhdoj ta përjashtoj nga axhenda ime investimin e kohës dhe energjive në shfaqje publike me “më the, i thashë, e më tha” brenda llojit, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndryshojnë natyrën e përballjes politike në Shqipërinë e sotme të njëmijë e një problemeve dhe halleve që kanë qytetarët e thjeshtë: nga përballje të opozitës me qeverinë e shndërrojnë në hidh e prit të ish-kryetarit historik Sali Berisha me kryetarin e rizgjedhur vetëm para katër muaj me parimin një anëtar një votë, që jam unë”, ka vijuar më tej kreu i PD.
Ky debat, ka vijuar Basha, çon ujë në mullirin e Edi Ramës, ndërsa shprehet i gatshëm që të përballojë çdo goditje politike për të mbrojtur si vendimin e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i partisë, ashtu edhe atë për të mos thirrur forumet e saj.
“Dua të përsëris sot se sa të jem unë kryetar i PD-së nuk do të pranoj të hedh në votim në asnjë forum të partisë demokratike vendime të qeverisë dhe institucioneve amerikane kundër deputetëve a të zgjedhurve të kësaj partie. Edhe sikur të jem unë i godituri i këtyre vendimeve. Nuk do të pranoj e lejoj akte që çojnë në izolimin e Partisë Demokratike nga aleati ynë strategjik dhe mirëbërësi më i madh në histori i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, që janë SHBA. Izolimi nga SHBA është vdekja e Partisë Demokratike. Rrjedhimisht është vdekja për një periudhë jo të shkurtër e shpresës së shqiptarëve”, ka deklaruar ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



