E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Interesi i Partisë” ishte loja mor djalë…
Publik News

“Interesi i Partisë” ishte loja mor djalë…

Ermal Mulosmani

Paska thënë një deputet i PD-së sot: “Do i bashkohem Berishës nëse akuzat e DASH-it janë politike”!

Çfarë hipokrizie! Akuzat e DASH-it nuk do të dalin kurrë si politike. Në rastin më të mirë do rrinë aty, në heshtje. Të gjithë e dinë që gjyqi i Parisit është një frymëmarrje politike e Berishës dhe jo një cështje ligjore.

Unë i pëlqej ata që thonë drejt : “Berisha është një kosto e lartë për PD-në dhe ne do të ndërtojmë të ardhmen pa të”.

Por edhe këtu besoj se ka hipokrizi. Ata nuk e largojnë Berishën vetëm për Amerikën. Ata e largojnë Berishën kryesisht që të rrinë rehat në çifligun e tyre opozitar. Sigurisht Amerika është pretekst i fortë për këtë.

Mirëpo në këtë vendim ka vetëm një problem të madh që bën të çalojë: “Berisha nuk është dakort”!

Ah, sikur edhe ai të jetë dakort e të shkonte në burg! Sa mirë do ishte…Ta gëzonim atë Parti të shkretë që nuk ia pamë hajrin një ditë nga AI…

*****
Ekziston një opinion se Berisha e zgjodhi Lulzim Bashën si pasardhës vetëm që të kishe një mburojë politike në rast të një rreziku të tillë. Ai ishte më i besuari dhe më i lehti për tu komanduar. Ndaj dhe u zgjodh. Për të qenë më i sigurtë, Berisha qëndroi edhe vetë deputet dhe ruajti një grup besnikësh për çdo rast.

Nga ana tjetër, si kompensim, i hapi krahun Bashës të krijonte grupin e vet të partiakëve drejtues. “Bëj ç’të duash me Partinë biro por kujdes me mua…”

Lulzim Basha i krasiti një e nga një të gjithë kastën berishiane: Imamin, Rulin, Boden, Topallin, Pollon, Nishanin, Patozin, Bregun e kompani. Këta kishin edhe tarafet e tyre me të cilët e kishin ndërtuar piramidën elektorale dhe me të cilët kishin ndarë pushtetin. Shumica e tyre sot i janë bashkuar Foltores. Ata shohin aty një mënyrë për të kthyer lavdinë e tyre politike dhe financiare. Edhe ndjekësit shohin një mënyrë për tu kacavjerrur në katet e poshtme të pushtetit. Luli i shan sikur ata njerëz nuk kanë të drejtë të shohin interesin e tyre. Siç e sheh ai të vetin. Ose përkrahësit e tij. Ose Berisha. Të gjithë bëjnë hesapet e tyre. Basha mendon se vetëm ai ka të drejtë të bëjë hesape…

Duke paralizuar politikisht gjithë këto figura dhe duke promovuar teknokratët e rinj e të bindur si Rushajn, Bardhin, Alibeajn, Tabakun, Gridën, Salianjin e të tjerë si këta, Basha mendoi se i erdhi dita të pronësojë Partinë e Berishës. Të gjitha këto u bënë me lejen e plakut. Fundja ai kishte vetëm një merak: “Të mos prekej ai vetë dhe të afërmit e tij biologjikë”. Ta kishte këtë garanci në 2013-ën do të ikte qysh atëherë. Por diçka ndiente një rrezik ndaj rrinte aty si hije e Pd-së.

Tani që erdhi rreziku dhe Berisha kërkoi atë që i duhej, pra, mbështetjen e Partisë në këtë hall personal, Basha u kthye te idealizmi dhe te partneriteti me Amerikën. Do ishte një vendim mjaft kurajoz nëse ai e kishte fituar Partinë me votë të vërtetë ose edhe nëse gëzonte mbështetjen e bazës. Por e vërteta është se deri më 09 Shtator 2021 ai është parë si zari i Berishës në PD.

Përpjekja e tij për të ruajtur atë çka mund të ruhej nga Partia, qoftë edhe një copëz të saj, tregon jo për idealizmin e tij sesa për llokmën që nuk e lëshon nga dora. Me pretendimin se po e bën për Partinë.

Të gjithë deklarojnë që e bëjnë këtë luftë për interesat e Partisë. Por këto deklarata më kujtojnë shprehjen e famshme të Ndrek Lucës te filmi Operacioni Zjarri : “Po ajo ishte loja mor djalë”

Në fakt e bëjnë për arsye personale padyshim. I pari Basha që është kapur me thonj pas procedurave dhe Amerikës. Po të ishte dinjitoz pas përjashtimit të Berishës ikte edhe vetë si beniamini i tij. Berisha dhe Basha mund të binin vetëm bashkë jo njëri po e tjetri jo. Shpresa se Basha mund të vinte ndonjëherë në pushtet është shuar prej vitesh nga aksionet politike skandaloze që e rrënuan politikisht Partinë Demokratike. Djegia e mandateve është një gafë që duhej të ndërronte gjithë kryesinë e Partisë Demokratike, gjithë kokat e saj. Një gafë historike. Kryetari duhej të hynte në histori si idioti më i madh politik. Por, siç e kemi zakon ne, pas humbjes ndaj kundërshtarit i japim pakuptueshmërisht dafinat e fituesit në Parti. Një paradoks politik, një komedi në veprim. Për ta shndërruar në hero e viktimë bashkë, në çlirimtar e amerikan… Jo, kjo nuk është e vërtetë. Basha është një humbës kronik, një uzurpues i fronit të PD-së dhe një karikaturë e lidershipit. Trashja e zërit të tij tremb veç laraskat dhe vartësit e tij.

Shpresa e Bashës se mos SPAK-u arreston Berishën dhe e shpëton po venitet çdo ditë e më shumë. Pse, budalla është Rama të arrestojë Berishën? Ai duhet aty që të ndajë Partinë dhe të ushqejë telenovelën mediatike. Tani Basha nuk ka zgjidhje, duhet të përballet. Nëse fiton do ketë pjesën e madhe, nëse humd të voglën. Pa gjë nuk do dali…

Ah, Partinë e mori lumi. Fundja kjo është një gjë që pak kujt i intereson.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.