
Ngrihet Byroja e Hetimit, nisin përgjimet dhe reforma në forcat speciale, përjashtohet Adriatik Llalla
Zbardhet strategjia e qeverisë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Zbardhet plani i plotë i qeverisë për të goditur krimin dhe korrupsionin. Pak ditë më parë u arrit marrëveshja me FBI, ndërkohë tani tregohet me detaje plani i Ministrisë së Brendshme. Ajo që bie në sy në këtë dokument është se qeveria, për të përmbushur detyrën kundrejt luftës së krimit dhe korrupsionit, do të bashkëpunojë ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK. Dy struktura që do të formohen pas përmbylljes së reformës në drejtësi. Ndërkohë ajo që evidentohet në dokument është se qeveria gjatë kësaj nisme nuk do të kryejë asnjë bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo për faktin se vetë kryeprokurori Adriatik Llalla, gjatë gjithë viteve që ka qenë në krye të prokurorisë nuk ka bërë asnjë goditje kundrejt krimit dhe korrupsionit. “Lufta pa kompromis dhe ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe/ose organizatave kriminale të ndryshme, si dhe i grupeve me axhenda ekstremiste të dhunshme dhe terroriste duke shënjestruar, sekuestruar dhe konfiskuar çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre përbën një prioritet absolut për qeverinë shqiptare. Në funksion të përmbushjes së këtij prioriteti strategjik dhe objektivave përkatës do të ndërmerren masat e mëposhtme: Rikonceptimi i Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, i orientuar drejt një strukture autonome dhe hierarkike brenda Policisë së Shtetit për gjurmimin, zbulimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale në këtë fushë. Krijimi i drejtorive rajonale, duke ridimensionuar mënyrën e bashkëpunimit e ndërveprimit me BKH, SPAK dhe prokuroritë e rretheve gjyqësore”, thuhet në strategjinë e qeverisë.
Përgjime dhe reformime
Lufta kudër krimit të organizuar është një nga prioritetet e qeverisë për këtë vit dhe tashmë qeveria e ka hartuar strategjinë sesi do të bëhet e mundur kjo luftë. Kështu, sipas dokumentit të siguruar nga gazeta, lufta ndaj krimit do të nisë si fillim me reformimin e të gjitha njësive operacionale, me qëllim që këto struktura të spastrohen nga personat që kanë lidhje kriminale. “Riorganizimi i strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit, duke forcuar përgjegjësinë dhe kontrollin e tyre vertikal, cilësinë e oficerëve dhe agjentëve. Mbështetjen e tyre me teknologji bashkëkohore, përdorimin më efektiv të burimeve njerëzore dhe logjistike, me synim kryerjen e hetimeve proaktive dhe cilësore”, thuhet në planin strategjik të qeverisë. Sakaq përveç reformimit të njësive operacionale, një metodë tjetër që do të përdoret do të jetë ajo e përgjimeve telefonike dhe ambientale.“Hartimi i kuadrit ligjor të nevojshëm për sigurimin e aksesit të strukturave të Policisë së Shtetit në databazat e operatorëve publik të telekomunikacionit; Rritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për zbatimin e instrumenteve ligjore për realizimin e përgjimeve”, shkruhet në planin strategjik.
Luftë korrupsionit
Ashtu sikurse lufta kundrejt krimit, një prioritet tjetër i qeverisë është dhe lufta kundrejt korrupsionit. Por për të mundësuar një aksion të tillë qeveria, sipas planit , do të sigurojë akses në të gjitha databasse-t e institucioneve publike për të patur më shumë kontroll. “Angazhohemi për një luftë pa kompromis dhe pa dallim ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në funksion të përmbushjes së këtij prioriteti strategjik dhe objektivave përkatës do të ndërmerren masat e mëposhtme: Sigurimi i aksesit të strukturave të hetimit të krimit ekonomik, korrupsionit dhe pastrimit të parave në databasse-t e institucioneve të tjera publike si dhe ofrimi i mbështetjes së nevojshme logjistike dhe teknike për ndjekjen e hetimeve”, thuhet në planin e siguruar nga PUBLIK.live
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



