Berisha bën denoncimin e fortë: MSH ka urdhëruar përdorimin e vaksinave të skaduara!
kryeministri Sali Berisha ka denoncuar në rrjetet sociale se Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë ka urdhëruar përdorimin e vaksinave të skaduara për qytetarët duke sjellë pasoja të rrezikshme.
Ai ka shpërndarë denoncimin e një mjeku që sipas tij thotë se janë urdhëruar të vazhdojnë vaksinimin me lotin e vaksinës Pfizer të skaduar në muajin korrik që duhej përdorur jo më larg se muaji tetor i vitit të shkuar.
“Një akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut!
Të dashur miq, në një akt të papërgjegjshëm dhe me rrezik për jetën e njerëzve, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar përdorimin e vaksinave anti-covid të skaduara, duke rrezikuar kështu jo vetëm mbrojtjen e të vaksinuarve nga virusi, por duke sjellë edhe pasoja të tjera të rrezikshme nga substancat e skaduara.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të papërgjegjshëm të qeverisë dhe i bëj thirrje qytetarëve të mos pranojnë të vaksinohen me vaksina të skaduara.
Lexoni më poshtë denoncimin e mjekut dixhital. #sb ‘Pershendetje dr po ju informoj se jemi urdheruar te vazhdojme vaksinimin me lotin e vaksines Pfizer qe ka skaduar ne Korrik dhe sipas urdherit duhet qe kete lot ta perdorim gjere ne tetor’., shkruan Berisha.
Në lidhje me këtë denoncim ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila ka përgënjeshtruar akuzat e Berishës.
“Sali Berisha e përdori dhe një herë dritaren e Facebook-ut, për të gënjyer. Nuk do t’ia vlente t’i përgjigjeshim gënjeshtrave të tij, të cilat në jo pak raste ka filluar i fshin edhe vetë kur ndokush ia vë në dukje marrëzinë e radhës.
Por, gënjeshtrat që Sali Berisha shpërndan pa pikën e përgjegjësisë, ndikojnë mbi shëndetin e qytetarëve dhe masat parandaluese që ata duhet të marrin në kushtet e Pandemisë. Në lidhje me gënjeshtrën e fundit, sipas të cilës qytetarëve po u bëhen vaksina të skaduara, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dëshiron të informojë qytetarët si vijon:
Vaksinat janë të sigurta dhe të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe cilësisë së barnave, FDA dhe EMA. Shtyrja e afatit të vaksinave sipas një kalendari që lidhet me kohën e prodhimit është bërë për të gjithë shtetet e botës nga kompania Pfizer/BionTech dhe është miratuar nga FDA dhe EMA.
U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e përpjekjeve dezinformuese që synojnë ta përdorin shëndetin e tyre për politikën e ditës, por t’u referohen vetëm institucioneve që kanë përgjegjësinë të mbrojnë shëndetin e tyre” – shkruan Manastirliu në faqen e saj në Facebook.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



