E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thellohet skandali/ PD: Shteti shqiptar bleu tokën për interes të ‘inceneratorit të Tiranës’
Lajme

Thellohet skandali/ PD: Shteti shqiptar bleu tokën për interes të ‘inceneratorit të Tiranës’

Partia Demokratike ka nxjerrë fakte të reja lidhur me aferën 430 milionë euro të inceneratorëve. 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja u shpreh gjatë një deklarate për mediat nga selia blu se shteti shqiptar ka dalë garant i ‘inceneratorit të Tiranës’.

Sipas tij, shteti ka blerë tokën me paratë e shqiptarëve dhe ia vënë atë në dispozicion projektit fantazmë që do të ndërtohej mbi një truall 100% publik.

“Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private. 
Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private. Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik”,
u shpreh Kraja.

Anëtari i KK të PD i ka drejtuar qeverisë dhe Edi Ramës 5 pyetje të tjera për mega-aferën e shekullit. 
 
Deklarata 

Prej javësh denoncojmë çdo ditë, me fakte dhe prova, vjedhjet miliona euroshe nga inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. 
 
Për nga vlerat e abuzuara, janë në lojë mbi 430 milion euro; për nga individët e përfshirë, Kryetarë Bashkish, Ministra e vetë Kryeministri; për nga skemat e përdorura, kompani guacë brenda dhe jashtë vendit në pronësi njerëzish të vdekur apo në azil; gjithçka në këtë skandal përbën një mega-aferë.
 
Një mega aferë tejet komplekse dhe që dëshmon se hajdutët në fakt janë vetë qeveritarët. 
 
Sot do të ndalemi tek Landfilli i Sharrës në Tiranë pasi mega-skandali nuk prek vetëm inceneratorët por të gjithë zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve. 
 
Flasim gjithmonë për të njëjtën kompani “Integrated Energy B.V.” e cila nuk paguhet vetëm për të djegur plehrat që nuk digjen askund. 
 
Më konkretisht, Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private. 
 
Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private.  
 
Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik.
 
Nga ku pesë pyetjet e radhës:
 
1. Sa është vlera në miliona euro, që shteti shqiptar, ka kompensuar deri më sot në emër të Integrated Energy pronarët privatë të truallit në Sharrë? 
 
2. Sa është numri i gjyqeve që shteti shqiptar ka më pronarë të truallit që kërkojnë një kompensim më të lartë, dhe sa është parashikimi i detyrimeve totale në fund të këtyre gjyqeve?
 
3. A mund të jetë ky truall publik, prej 15 hektarësh, objekt sekuestrimi nga bankat kreditore të Klodian Zotos për kreditë e mos-kthyera nga ai, dhe sa shkon humbja në total për shtetin shqiptar?  
 
4. Sa është fitimi në miliona euro, që e njëjta kompani fantazëm ka nxjerrë nga faturimi i depozitimit inerteve të ndërtimit në këtë truall publik? 
 
5. Përse Bashkia Tiranë vijon ta lejojë këtë kompani fantazëm, një nga administratorët e të cilës është objekt hetimi dhe kërkimi ndërkombëtar, të vjelë miliona euro fitime nga përdorimi i një trualli publik si Landfilli i Sharrës ? 
 
Përgjigjja është vetëm një. Sepse këto janë punë plehrash, punë hajdutësh, punë fantazëm për një mega-aferë qindra milionëshe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.