Meta flet për formulën e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale: Si do të bashkëpunohet me PD
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur në lidhje me formulën e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Meta u shpreh se PL ka prioritet vendosjen e demokracisë në vend ndërsa shtoi se janë të hapur për të mbështetur kandidatët më të mirë mes dy forcave politike.
Ai shtoi se do të negocionin edhe për primare të përbashkët për të bërë zgjedhjen e kandidatëve.
“Partia e Lirisë ka prioritet vendosjen e demokracisë në vend. Ne si PL do të bëjmë çdo gjë për të rivendosur llogaridhënien. Jemi shumë të hapur për bashkëpunim me PD për të mbështetur kandidatët më të mirë në të gjithë vendin pavarësisht se nga janë dhe kujt i takojnë.
Fryma për ndryshim është shumë më e madhe se kaq. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të zgjedhur ata që do i përgjigjen kësaj fryme. Unë jam partizan i hapjes totale për kandidatët më të mirë.
Ata mund të jenë politik. Profili më i mirë mund të jetë vetë primarja. Jemi të hapur edhe për primare të përbashkët. Jemi për çdo proces të hapur demokratik.
Kush ka një vizion më të mirë dhe pastaj të mbështeten të gjithë. Çdo forcë politike lufton për peshën e saj. Për kandidatët jemi të hapur për të bashkëpunuar. Mendoj se nuk duhet të ketë ndarje administrative”, deklaroi Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, komentoi këtë të martë mungesën e ish-kryeministrit Berisha në protestën e mbajtur nga PL te inceneratori i Tiranës.
Meta tha se protesta ishte simbolike për të treguar skenën e krimit ku janë vjedhur miliona euro të shqiptarëve dhe jo për të demostruar pjesëmarrjen, pasi dhe vetë terreni ishte i pamjaftueshëm dhe nuk kishte as parkim.
Meta theksoi se Partia Demokratike kishte përfaqësuesit e saj në protestë dhe se pjesëmarrja e Berishës nuk ishte e domosdoshme.
Meta: S’ishte shumë e demosdoshme, pse duhet të vinte. Së pari ju e thatë vetë se në atë farë vendi ku u bë protesta, edhe organizimi ishte simbolik nuk ishte për pjesëmarrje, se nuk shkojnë njerëzit aty se nuk ka as parkim.
Aty afër janë dhe varrezat dhe nuk shkohet aty për të bërë zhurmë dhe ulërima. Nuk ka qenë qëllimi pjesëmarrja, thirrja është bërë nga Partia e Lirisë, folësit kanë qenë nga shoqëria civile, kanë qenë dhe përfaqësuesesit e Teatrit.
Për sa i takon idesë së frontit opozitar, ata që janë kundër Edi Ramës e kanë detyrim të jenë bashkë. Por kjo nuk do të thotë që PD dhe PL të kenë një agjendë të përbashkët, por ato mund të koordinohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



