E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mashtrimi me bursën fiktive “Forex” në mes të Tiranës
Publik News

Mashtrimi me bursën fiktive “Forex” në mes të Tiranës

Ishin gjermanët që i vunë para përgjegjësisë autoritetet tona hetimore për të gjurmuar “call center”-a që mashtronin shtetasit e tyre. Për pasojë, autoritetet tona u vunë në lëvizje dhe goditën dy vatra aso kohe, që përkon me muajin shkurt të këtij viti.

Po ndërsa u mbyllën dy kompani me aktivitetet, sipas prokurorisë, mashtrimi, duket se njohësit e kësaj formule ka ndryshuar vend, duke u pozicionuar në afërsi të qendrës së Tiranës nga ku kanë nisur të “viktimizojnë” shtetas francezë e spanjollë më së shumti, por mes të mashtruarve ka sërish shtetas gjermanë, pretendon Prokuroria e Tiranës që ka mbajtur të hapur hetimin për këtë kategori “call-center”-ash.

ZBULIMI

Policia e Tiranës bëri me dije se një tjetër “call center” që ishte një “strofull” mashtrimi u zbulua, duke çuar në pranga 3 punonjës, më saktë menaxherin dhe 2 operatorë, ndërsa në kërkim është shpallur pronari. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë administratori, Doris Telhallari dhe 2 operatorët, Eldjon Lleshi dhe Ergi Ali, ndërsa në kërkim është shpallur pronari, Ardit Topalli.

“Call center”- i ishte në zonën e ish-Parkut, në rrugën “Frosina Plaku”. Ato përdornin NIPT-in e një kompanie “Dag-it Solution” me status pasiv në QKB. Nga sa bëhet e ditur, 2 operatorët së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive “Forex”.

Hetimet e drejtuara nga prokurori Bledar Valikaj kanë nisur në shkurt 2022. Punonjësit mashtronin shtetas të huaj gjermanë, francezë e spanjollë. Pagesa merrej në bitcoin në Shqipëri, teksa si provë janë gjetur listat e bankave offshore ku bëheshin transfertat. Pronari i kompanisë është arratisur, mirëpo ai është i implikuar në këtë skemë mashtrimi për shkak se janë gjetur mesazhe, teksa ai instrukton punonjësit për procedurën.

Në dosjen e prokurorisë janë fiksuar bisedat në të cilat flitet për shuma që kapin vlerën deri në 12 mijë euro për një klient. Mes tyre shfaqet pronari, tashmë i shpallur në kërkim, Ardit Topalli, i cili instrukton punonjësit mbi procedurën.

SKEMA E MASHTRIMIT

Në rrugën “Frosina Plaku” në kompleksin “Homeplan” është gjendur një ambient me fasadë xhami brenda së cilës kishte orendi të ndryshme që shiteshin te faqja “Shtëpia e Ofertave” dhe në një cep të këtij ambienti janë gjendur tre kompjuterë të ndezur ku në pamjen kryesore të tyre kanë pasur një numërator që shërben për thirrje telefonike dhe një databazë klientësh.

Në krah të kompjuterëve ka pasur blloqe shënimesh brenda të cilave ka pasur informacion për veprimtarinë e “Forex”, pasi janë përshkruar informacione për çdo telefonatë të thirrur, shumën e depozituar dhe arsyen pse klienti pranonte apo refuzonte në lidhje me transaksionin.

Në njërin prej kompjuterëve, sipas Prokurorisë së Tiranës, ka qenë dhe një USB me numra të llogarive dhe transaksioneve bankare dhe foto kartash identiteti të klientëve. USB-ja gjithashtu ka pasur edhe databazë klientësh me të dhëna personale të tyre. Në vijim janë zbuluar edhe biseda ku flitet dhe udhëzohet për platforma nga ku merreshin nga shtetas të huaj kundrejt përqindjes, transaksione dhe llogari bankare.

Gjithashtu, u gjetën edhe prova që vërtetonin se pagesat bëheshin në mënyra të ndryshme në banka të ndryshme të huaja si në Poloni, Britani, Abu Dabi etj., si dhe u arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin dhe në bitcoin.

Dyshohet se punonjësit shërbenin si bërthamë operative administrimi të platformave “Forex” që më pas shpërndaheshin në operatorë të tjerë. Mashtrimet më së shumti bëheshin ndaj qytetarëve spanjollë dhe gjermanë.

Në kuadër të operacionit “Last Call” janë sekuestruar 4 kompjuterë, celularë lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

“Hetimet vijojnë për kapjen e pronarit dhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë krimi”, saktësoi Prokuroria pas kryerjes së operacionit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.