Erdogan shfajëson Putinin, perendimi po provokon Moskën
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se vendi i tij është i përkushtuar për kërkimin e dialogut të paqes mes Rusisë e Ukrainës. Ai i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për provokim të Moskës.
Transmetuesi shtetëror turk, TRT, dhe disa medie të tjera e cituan presidentin Erdogan të ketë thënë: “Perëndimi, e posaçërisht Shtetet e Bashkuara, po e sulmojnë Rusinë, mësa duket, pafundësisht”, pa elaboruar se çfarë ka dashur të thotë me këto fjalë.
“Natyrisht, Rusia është duke shfaqur rezistencë të madhe përballë tërë kësaj”- citohet të ketë thënë presidenti turk gjatë një fluturimi me aeroplan nga Uzbekistani, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet perëndimore e kanë armatosur Ukrainën dhe i kanë ofruar forma të tjera të ndihmës. Për më tepër, vendet perëndimore i kanë vendosur sanksione të ashpra Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.
“Ne po punojmë për atë se si të krijojmë një korridor të paqes këtu, siç e kishim korridorin e drithërave. Ne mendojmë se mënyra më e mirë për këtë është një rrugë nga dialogu në paqe”- tha Presidenti turk, duke shtuar se pikëpamja e Ukrainës do të jetë e rëndësishme.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qenë vend pritës i delegacioneve të Ukrainës e Rusisë këtë vit dhe është përpjekur që të vendosë baraspeshë mes kritikave të saj ndaj pushtimit rus dhe kundërshtimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



