E gënjeva sot Mirin …
-E gënjeva sot Mirin,-i thashë gruas sa hyra në shtëpi.
Ajo më pa një çast me habi,por pa më pyetur e sqarova:
-Nuk mund të pija kafe me të se do më ngelte zemra kur ai të më shpjegohej.
Kaq dhe shkova te dhoma e ndenjes.Hapa tv e m’u shfaq futbolli,dashuria e jetës.Shyqyr që ka kampionat botéror që na lehtëson dhimbjet e ditës,fola me vete.Sidomos dhimbjet e ditës së sotme që ishte një skëterrë e vértetë.
Nisi si zakonist,me atë ecjen e mëngjesit rreth stadiumit. Më pas del gruaja dhe bëjmë pazaret,takojmë plot të njohur,hyjmë në ndonjë lokal pér lëng frutash e kthim në shtëpi.Një rutinë disavjeçare që na pëlqen dhe nuk e ndryshojmë,pérveç ditëve kur nxjerrim makinën nga garazhi e shkojmë në qytete të tjera pér ndonjë drekë a thyerje monotonie. E tamam nja dhjetë metra afér Conadit pashë Blertën,gruan e Mirit.Sa per sqarim lexuesit Miri është shoku im i ngushtë,shoku i fëmijërisë.Jo,jo,ai është tamam vëllai im.Jo si vëlla,por vëlla. Se me të kam folur pér hallet,brengat,problemet,gëzimet,fluturimet qysh kur isha fëmijë e deri sot.
Normal,edhe ai me mua ka folur çdo gjë.Të kam si prift personal,më thotë sa herë më rrëfehet.
Blerta si Blerta.Perherë me qenin në krahë dhe duke vrapuar.Nuk e mbajm end të ecë normal.Ama e palodhur,e qeshur nga mëngjesi në darkë.
-Si jeni?- e pyeta.
-Mirë.Po ju?
-Si gjithnjë.Miri në shtëpi?
-Jo,ka shkuar andej nga kadastra.
-Probleme?
-Shitëm shtëpinë e do bënte kalimin e hipotekës të një Hasan Hasan që e bleu.
E pashë me vëmendje mos bënte shaka.Miri kishte një apartament në zemer të Bllokut.Qe lodhur kaq e kaq vite derisa shleu kredinë e saj.U shtrëngua nga që ca vite krahas shtëpisë mbante me para dhe çunin e vetëm në Athinë që e çoi per studime.Kur pagoi këstin e fundit na béri një darkë pérrallore.
U çlirua nga prangat e bankës.Madje pati dy gëzime.Dhe çuni mbaroi pér arkitekturë e ia doli të merrte një kontratë pune në Këln,Gjermani. Mësova më vonë se ai u martua atje me një vendase e një ditë Miri si i çmendur bértiste majë ballkonit:”Ej,ej,u bera gjysh!”
-Gjysh të bëjnë,nuk bëhesh,-i thashë.
Ndaj kur Blerta më tha se shitën shtëpinë,nuk e besova.
-Do ikim te çuni në Gjermani,-më shpjegoi.-Mirit,siç ti e di,nuk po i ecin mirë punët.Kompania tani ka konkurente ca miq të qeverisë që marrin mallra nga jashtë e nuk paguajnë as doganë e as taksa. E merr me mend se shpejt do na fundosin.Ndaj sa të ngelemi rrugëve më mirë rrimë te çuni.Mishin ndoshta do na i hajë,ama kockën do na e lerë pa kafshuar.
I lexova trishtim në sy.Dukej po ndjente dhimbje nga ky largim.Se po linte plot motra,një vëlla e nënën afér 90 vjeç.
Nuk e zgjata,mora në cel Mirin.
-Si je byrazer?-më pyeti.
Nuk doja të bëja një bisedë të shkurtër ndaj i thashë:
-Pimë një kafe sot nga ora 5?
-Ok.
Shkova në shtëpi,po nuk isha në terezi.Mezi po prisja orën 5.Sa akrepi po afrohej atje u nisa te lokali.Ashtu nxitimthi.Plot pyetje pérplaseshin me njëra-tjetrën.Nga larg,mes xhamave,pashë Mirin ulur afér banakut.Me sytë ngulur te televizori.
Po shihte ndeshjen.Arrita te dera,kapa dorezën dhe…nuk e hapa.E lëshova,u ktheva e ngadalë-ngadalë po ikja larg lokalit.Sa më larg.Kur arrita në bulevard ia mora pér nga sheshi “Skënderbej” me kokën ulur e në dialog me veten.
-Gimo,mos e tako,mos e tako Mirin! Mos folë për largim,pér ikje të tij.Quaje sikur ai do rrijë atje ku ishte,te shtëpia që shiti.Vertet nuk do e takosh më,por edhe kur ishte në Tiranë rrallë e shihje.Se ai në punë e udhetime dhe ti në punë e Amerikë ca muaj.Quaje si ajomora e shtrenjtë që e ke në shtëpi,nuk e ve çdo ditë,por me raste.Ama ndjen gézim që e ke atje,te vendi ku e mban.Ashtu dhe Mirin,të mirin tënd mos ia prano vetes që ka ikur.Mësohu me iluzionin.
Thuaji vetes që vëllai yt do të të dalë një ditë perballë e do perqafoheni,do shmalleni e do flisni gjerë e gjatë.Ose po pe ndonjë zonjë me kone në dorë mbushja mendjen vetes se ajo është Blerta.Blerta e Mirit,mo.Gruaja e shokut,vëllait tënd.
Këto fjalë ngushëlluese i thoja mes një ngasherimi që mezi e mbaja.Me ndrojtje nga kalimtarët. Në fund e vulosa.
-Qetësohu,relaksohu.Se në fund të fundit nën një qiell do të flini ti dhe Miri.Ashtu si deri më tani.Por Miri do jetë i zhvendosur veç ca yje më tutje,më në veri,ama mbulesë një qiell do kemi.
Shoku im e shiti shtëpinë.Shiti lodhjen dhe strapacitjen e tij dhjetravjeçare.Mori rrugën e kurbetit në hyrje të moshës së tretë.Shpirti i tij e di ç’po heq.Shpirti im e di c’po vuan.
Më solli në vete bertitja nga tv:”Gol”. Mesi sapo shënoi me penallti.Jeta vazhdon,i fola vetes dhe u zhyta në fushën e blertë të stadiumit…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



