Bordi i “naftes” ul çmimin poshtë 200 lekëve
Çmimi i naftës ka rënë poshtë 200 lekëve për herë të parë në muajt e fundit në vendin tonë.
Bordi i Transparencës vendosi që nga sot, një litër naftë me pakicë do të shitet me 198 lekë, ndërkohë që më parë ishte 206 lekë.
Ndërsa çmimi i benzinës është vendosur 180 lekë për litër, nga 184 lekë që u vendos një ditë më parë.
Gazi i lëngshëm, nga sot do të shitet me 69 lekë për litër, ndërkohë që një ditë më parë u vendos në 71 lekë.
Çmimet e reja për karburantet do të hyjnë në fuqi sot në orën 18:00.
Njoftimi i Bordit të Transparencës:
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 7 Dhjetor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 06.12.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 719, -47 nga data 05.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 819, -71 nga data 05.12.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje në 111.4 (+0.4 nga data 05.12.2022).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 198 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 180 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 104 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 07 Dhjetor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



