Ndarja nga jeta e ish-ministrit italian/ Meta: Ishte një përkrahës i anëtarësimit tonë në NATO dhe BE
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-ministrit të jashtëm Italian, Franco Frattin.
Meta shkruan se Fratini ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE.
“Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.
Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet.
Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!”, shkruan Meta
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



