E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Projekti Thumanë-Kashar, banorët: Nuk lejojmë punimet pa u plotësuar tri kushte!
Lajme

Projekti Thumanë-Kashar, banorët: Nuk lejojmë punimet pa u plotësuar tri kushte!

 Na vrisni, ne nuk tërhiqemi

Nëse qeveria nuk certifikon pronat për t’i kompensuar më pas me vlerën e tregut dhe nëse nuk jep informacion mbi projektin e miratuar,nuk do të lejohen punimet për aksin Thumanë-Kashar.

Këto janë tri kushtet e vendosura nga banorët e Bërxullës që preken nga projekti. Prej pesë muajsh ata kanë nisur protestat, të cilat janë intensifikuar së fundmi. Si çdo të diel, edhe mesditën e djeshme ata dolën në rrugë për të kundërshtuar ndërtimin e rrugës. Por ndryshe nga çdo herë tjetër, protesta nuk përshkallëzoi në akte ekstreme, pasi ata u solidarizuan me popujt turk e sirian që u prekën nga tërmetet e frikshme.

“NA U SOS DURIMI”

Që kur morën informacion për projektin, banorët e Bërxullës thonë se jetojnë me frikë e panikun që nga momenti në moment mund të mbeten pa strehë. Por edhe në këtë pikë, ata thonë se nuk kanë asgjë për të humbur dhe se as jeta nuk u dhimbset.

“Kjo rrugë, kështu siç e kanë menduar ata, nuk do ndërtohet pa kushtet tona të panegociueshme. Jemi kaq të vendosur sa edhe jetën tonë nuk e llogarisim më. Nëse do na zhdukin të gjithë si fshat, atëherë shteti të na hedhë bombën e Hiroshimës. Po agravon gjendja, jetojmë me strese dhe me frikë, na është sosur durimi”, thotë njëri prej banorëve që doli në protestën e të dielës së 12 shkurtit. Ata përsërisin se nuk janë kundër investimit të qeverisë, por nuk lëshojnë pe kur vjen puna te vlera e pronës. Në vend që qeveria të shkojë të negociojë, janë këta të fundit që shprehen të gatshëm të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, duke ofruar dhe alternativa. “Ose në të kundërtën na sistemoni ku të jetë mundësia, ka toka në shtet plot. Ndajini banorëve të fshatit Bërxullë dhe nuk na dëgjohet zëri, nuk do ketë asnjë lloj përplasje. Punimet e koncesionarit kanë vazhduar me ritme të larta sepse është kap çfarë të kapësh. Vetëm aty ku kemi ngritur zërin, kanë ndaluar sepse nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimi”, thonë ata.

“PO NA VIDHNI”

Këtë që po u bëhet, banorët e Bërxullës e quajnë veçse vjedhje. Ata rrezikojnë të dalin në rrugë si populli turk e sirian. Jo për shkak të një fatkeqësie natyrore, por për përmbushjen e ambicieve personale të qeverisë. Sidoqoftë, ata mbeten të vendosur për të mos u tërhequr nga kauza për vlerësimin e drejtë të pronës.

“Po protestojmë mbi 4 muaj e gjysmë. Ne si çdo të diel jemi në protestë, por sot solidarizohemi me popullin turk dhe sirian. Çfarë ka ikur nuk kthehet më. Dyert tona janë të hapura. Ndaj ndajmë dhimbjen dhe i bashkohemi këtij populli që vuan. Por ajo dhimbje ishte nga fatkeqësia natyrore. Këtu në Shqipëri fatkeqësitë natyrore po i shkaktojnë politikanët. I bëjmë thirrje që të mos shkaktojnë fatkeqësi. Ne nuk tërhiqemi sepse pronat nuk i kemi të vjedhura siç i keni ju. Boll keni vjedhur. Nuk jeni të ngopur me këto fshatrat turistik? Jo të vidhni pronën e fshatit Bërxullë për të bërë vila për shoqet dhe të dashurat e politikanë, siç po dalin një nga një”, shprehet një banor i fshatit Bërxullë ndërsa një tjetër i vë përmasa më të mëdha kauzës së tyre. “Na bëri armik kreu i qeverisë edhe me Amerikën. Ne presim, por durimi do të soset dhe ne nuk do të presim. Njeriu një herë lind dhe një herë vdes. Prona është e shenjtë”

Kujtojmë se banorët e Bërxullës janë ngritur disa herë në protestë. Më herët, ata thanë se nuk janë kundër projektit, por problematika sipas tyre është te vlera e tokës dhe banesës. Sipas banorëve, 20 shtëpi në Bërxullë dhe 12 në FushëPrezë rrezikohen nga projekti dhe qeveria nuk ka një vendim për zhvendosjen e tyre. Banorët e cilësojnë projektin si abuziv e të pa studiuar. Protestës i është bashkuar edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili i ka bërë thirrje qeverisë për reflektim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.