Emrat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve që nuk e kalojnë dot vettingun do mësohen shpejt
Komisioni i vetingut nis zbulimin e aferave në drejtësi, gati kërkesat për marrjen në pyetje të gjyqtarëve e prokurorëve, ja emrat e fundit që do t’u hapen dosjet.
Komisioni i Kualifikimit pritet që shumë shpejt të nxjerrë emrat e parë të gjyqtarëve dhe të prokurorëve që nuk e kalojnë dot vetingun. Ditët e fundit ka avancuar puna sa i takon kontrollit të karrierës për gjyqtarët dhe prokurorët pasi për 54 emra janë grumbulluar nga 5 dosje që ata kanë hetuar apo shqyrtuar. Burime të gazetës thanë se Inspektorati i KLD bashkë me komisionin janë duke verifikuar emrat e parë. Por ajo që shihet me interes është kontrolli i pasurisë. Mësohet se ILDKP ka dorëzuar të dhënat e para dhe puna e verifikimit ka nisur, ku po shihet me detaj çdo deklarim që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët. Por ajo që është më interesante është se ditët në vijim do të thirren në komision emrat e parë të gjyqësorit dhe prokurorisë.
Në bazë të ligjit, përpara se të jepet vendimi, gjyqtarët dhe prokurorët thirren dhe japin sqarime për çdo paqartësi të trupës. Në këtë mënyrë në fillim të dhjetorit emra si Adriatik Llalla, Xhezair Zaganjori, apo Bashkim Dedja do të paraqiten dhe do të pyeten me detaje për të gjitha pronat që kanë deklaruar, çështjet që kanë shqyrtuar apo kontakte me njerëz të ndryshëm të botës së krimit. Më pas komisioni do të dalë me një raport ku vendosë nëse ata e kalojnë apo jo vetingun.
Pritshmëritë e shqiptarëve janë të shumta, pasi pranë komisionit ka pasur një valë të madhe njerëzish që kanë denoncuar gjyqtarë e prokuror, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me çështje të caktuara. Të gjitha dosjet janë administruar dhe atje ku ka dyshime se janë bërë afera, do thellohen hetimet. Mësohet se në lëvizje janë vënë dhe ndërkombëtarët. Ata kanë nisur procesin e hetimeve dhe jashtë vendit dhe shumë shpejt pritet që të dorëzojnë prova për emra të caktuar. Sipas parashikimeve, java e parë e dhjetorit është ajo që do të sjellë të dhënat e para në këtë proces.
Emrat që kanë mbetur
Deri më sot janë 53 gjyqtarë dhe prokurorë që po verifikohen pasi janë grumbulluar dosjet për ta. Në listë kanë mbetur vetëm 14 emra, që janë gjyqtarë e prokurorë ne rrethe, por që janë kandidatë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Bëhet fjalë për emra si: Brikena Ukperaj, gjyqtare e Apelit të Vlorës (KED); Gentian Medja, gjyqtar në Gjykatën Administrative i Shkallës së Parë Tiranë; Ervin Metalla, gjyqtar në Gjykatën e Apelit (KED); Ilir Toska, Gjykata e Apelit Tiranë (KLGJ); Besim Trezhnjeva, Gjykata e Apelit Durrës (KLGJ); Marçela Shehu, gjyqtare në Kurbin (KLGJ); Luan Kaloci, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë; Bujar Hoti, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës; Besnik Cani, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan; Elsion Sadiku, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë; Dritan Prenci, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës; Fatjona Memçaj, prokurore e Apelit Tiranë, etj. Javën që vjen pritet që dhe për ata të hidhen shortet e para dhe më pas mbyllet procesi i grumbullimit të dosjeve për të 68 emrat prioritarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



