Deti ‘kos’ në prag fushate/ Emiriana Sako shpenzon 500 MLN LEKË për kimikate, fiton pa garë oferta më e shtrenjtë
Kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako, njihet për abuzimet me tenderët dhe shpenzimet pa kriter që bënë. Sako është denoncuar shpesh herë në media për tenderë pa garë, vjedhjen e fondeve të rindërtimit dhe bashkëpunime me oligarkë. Por, asnjëherë nuk janë marrë masa ndaj saj, edhe pse faktet e publikuara çdo ditë tregojnë që ajo duhet të ishte në dyert e SPAK tani.
Duke qenë me “shpatulla të ngrohta” ajo ka zhvilluar një tjetër tender abuziv. Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-54758-12-22-2022 dhe objekt “Blerje kimikate”, për nevojat e Ujësjellës Kanalizime. Për të blerë klor Sako ka vendosur të shpenzojë 500 milionë lekë.
Shifër alarmante kjo! Kur në të dhënat e tenderit shohim se do të blihet 780 ton ose 780,000 Kg Hipoklorat Natriumi i lëngshëm. Kështu, sipas një llogaritje të thjeshtë i bie që për 1 kg klor Sako do të shpenzojë 64 mijë lekë.

Kur në një pikë që tregton kimikate, një kuti që mban 4 kg klor kushton 65 mijë lekë, aq sa Sako harxhon për 1 kg. Çudira të tilla mund t’i shohim vetëm nga Sako e cila nuk kursehet fare dhe i bën “rrush e kumbulla” paratë që duhej t’i investonte për të mira në komunitet.

Veprat e çuditshme të Sakos nuk mbarojnë me kaq. Ajo e ka firmosur këtë tender në kundërshti të hapur me ligjin. Në kontratë evidentohet se për këtë projekt kanë paraqitur ofertë dy firma. Operatori “Albania Distribution Chemicals SHPK” kishte ofertë me vlerë 450 milionë lekë, por është skualifikuar në fazën e parë, për shkak se nuk ka paraqitur punë të ngjashme me vlerë të afërt sa tenderi që po flasim.

Kështu mbeti e disponueshme vetëm oferta e firmës ‘2 AT” SHPK, në pronësi të Nuçi Shamija dhe Alketa Torit. Oferta e kësaj firme është sa 99% e fondit limit. Por edhe pse përbën shkelje të rregullave, Sako e shpalli fituese. Duke theksuar këtu se fitorja u firmos pa u zhvilluar një garë e mirëfilltë, pasi nuk kishte konkurrentë të tjerë në garë.
Do ishte një sinjal pozitivë nga drejtësia nëse do t’i hetonte këto tenderë tani para zgjedhjeve vendore, që mos të kemi më në gara kandidatë të korruptuar dhe që kanë vjedhur ndër vite taksat tona. Në fund të fundit provat dhe faktet e korrupsionit janë shumë të dukshme dhe të qarta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



