Vëllai i Liridonës: Besojmë në drejtësi, të mos vritet më asnjë grua
Leonard Ademaj shkoi në mëngjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, aty ku tre të dyshuarit për vrasjen e motrës së tij, përfshirë bashkëshortin e saj, u paraqitën për herë të parë.
Ai u ndal para gazetarëve, për të treguar edhe njëherë se si iu lindën dyshimet se grabitja në fakt ishte inskenuar dhe se bashkëshorti i motrës së tij kishte paguar për vrasjen e bashkëshortes.
Leonard Ademaj i falënderoi gazetarët, ndërsa tha se besojnë në drejtësi.
“Faleminderit edhe prej juve dhe ju falënderoj shumë të gjithëve. Besojmë në drejtësi dhe le të jetë Liridona rasti i fundit që ka vdekë. Të mos vritet më asnjë grua, asnjë nënë dhe asnjë motër e jona. Faleminderit shumë prej juve. Zoti ju ruajt të gjithëve”, tha ai.
30-vjeçarja u vra me plumb në kokë të mërkurën. Dorasi Granit Plava tha se për inskenimin e grabitjes dhe vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i saj, Naim Murseli e pagoi 30 mijë euro. Të dy, së bashku me Kushtrim Kokallën, i cili po ashtu u arrestua për këtë krim, dolën sot për herë të parë para gjykatës. Atyre pritet që sot t’iu caktohet masa e paraburgimit.
Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona, ka thënë se aktualisht fëmijët i kanë në kujdes dy gjyshërit, prindërit e Naim Murselit, dhe se ata s’kanë insistuar që t’i marrin meqë gjendja emocionale e familjarave është e rëndë.
“Me fëmijët kemi pasë kontakt. Shoqata sociale ka ardhur dhe ka qenë edhe te ata, që fëmijët janë mirë dhe mos keni merak për ta. Ata nuk kanë telefona që ne me komuniku me ta sepse janë të vegjël. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi i tyre (prindërit e Naimit). Kanë ardhur e na kanë pyet. Te ne është gjendja shumë katastrofale dhe fëmijët s’e kanë kuptu hala që nana ka vdekë dhe me ardhë te ne e kanë më të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur. I kemi lënë te ata sepse janë edhe fëmijët e vëllait të Naimit dhe po e kalojnë kohën me ta pa e kuptu”, tha ai.
Leonard Ademaj s’ka marrë pjesë në seancë në seancën dëgjimore ku kanë dalë tre të dyshuarit, përfshirë edhe Naim Murselin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



