Basha : Rama preku fundin politik të ekzistencës së tij
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka zgjedhur që mesazhet politike t’i japë nga ‘çadra e lirisë’.
Ai u ndal në aktivitetin e PS-së në Kavajë, ku tha se kryeministri Rama i kishte thirrur me dhunë qytetarët për të marrë pjesë në takimin me të rinjtë që votojnë për herë të parë.
“Për hir të pazarit politik, që këta kanë bërë tash 4 vite në kurriz të shqiptarëve si pjesë e komplotit ekonomik kundër xhepave dhe mirëqenies së shqiptarëve që vidhen ditë për ditë, si pjesë e komplotit kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, ky pazar politik i cili tash 4 vite ka vetëm një qëllim të pasurojë dhe të mbrojë klikën e korruptuar në pushtet, sot Edi Rama bëri atë që u mundua ta shmangte për 4 vjet, u përpoq ta fuste në burg rivalin politik, për të cilin ngriti anë e mbanë Evropës dosje konspiracioni me komplote vrasje, u detyrua ta shpallë President të rilindjes së falimentuar dhe të korruptuar.Kjo është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën. Rruga e tij e lidhur me mijëra fije me krimin e organizuar që prodhoi papunësi dhe mjerim për shqiptarët”, tha ai.
Basha tha nga çadra e opozitës se kryeministri Edi Rama preku fundin e tij politik në takimin elektoral të Kavajës.
“Sot është një ditë e dëshpëruar i Edi Rama. I mbërthyer nga paniku i braktisjes totale nga kavajasit dhe shqiptarët urdhëroi mobilizimin masiv me forcë dhe kërcënime të gjimnazistëve dhe mësuesve të Kavajës dhe çdo qytetari që mund të shantazhohej nga falangat. Edi Rama preku sot fundin politik të ekzistencës së tij, fundin e turpshëm të dështimeve që mbolli sot katër vite”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



