E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Karagjozi” më i mirë prej krejtve!
Lajme

“Karagjozi” më i mirë prej krejtve!

Gazetari dhe shkrimtari Agim Xhafka ka shkruar një shkrim satirik për   kryeministrin Edi Rama, i cili  në natën e ndërrimit të viteve me një skenar të parapregatitur nga TV KLAN  u shfaq  në rolin e lojtarit në rubrikën “Të Panjohurit” të emisionit “E diela Shqiptare”.

Xhafka e quan karagjoz kryeministrin, i cili u bë pjesë e “show”-t të argëtimit. Sipas shkrimtarit ka vetëm një karagjoz në këtë dynja dhe ai është kryeministri Edi Rama.

Shkrimi i Agim Xhafkës

Në pasditen e 31 Dhjetorit, Edi iu afrua së shoqes dhe i dha një puthje të fundit. Ora shënonte gjashtë. Pasi mbathi këpucët e tij, mori të birin për dore, dhe iu drejtua derës.

– Babi, ku po shkojmë? – e pyeti me kuriozitet djaloshi i vogël.

– Deri tek kisha bir. Se po na presin – i përgjigjet Edi.

– O babi, po a nuk kanë prift ata?

– Jo bir, prifti qe sëmurë. Prandaj po shkoj unë. Kristjanët kanë nevojë për mua. Nuk i le dot.

Me të shpërndarë bukën dhe verën tek besimtarët nën rrobat e priftit, Edi mori djaloshin për dore dhe iu drejtua portës së kishës.

– Babi, ku po shkojmë? – e pyeti i biri përsëri.

– Në xhami bir. Na presin besimtarët.

– Babi, babi! Po a nuk kanë hoxhë ata?

– Jo bir. Hoxha ka ikur e punon murator në Gjermani.

– Po ti nuk je mysliman si mami. Kurse unë jam hebre o ba’. Si do falesh me ta?

– Të falen ata bir, e unë do u lexoj kuran.

Besimtarët ishin falur. Po prisnin Edin të recitonte hadithet e profetit. Por Edi kishte një plan tjetër.  Ai recitoi kuranin duke i lënë gjithë besimtarët gojëhapur dhe të mahnitur. Besimtarët pasi e dëgjuan, i bënë sexhde Allahut dhe e falenderuan Atë për mrekullinë që kishin dëgjuar.

Me të mbaruar tek xhamia, Edi hoqi fezin osman të mbështjellë me çallmë të bardhë, dhe iu drejtua derës së xhamisë.

– Babi! Babi! Po tani ku po shkojmë?

– Te News24 bir. Do korrigjojmë artikujt e Rakipllarit.

– Babi, po a nuk kanë kryeredaktor ata?

– Kanë bir. Por kryeredaktorët që kanë ata janë të paaftë. Vetëm unë u vi hakut atyre.

Tek kontrolloi gjithë kryetitujt për ditën e nesërme, Edi filloi menjëherë t’i korrigjonte. Rakipllari i skuqur e shihte me plot kërshëri por dhe i vinte turp nga vetja se si kishte arritur që Edit mos t’i pëlqente asnjë nga titujt e gazetës. Me të gdhendur titujt e rinj fët e fët, Edi me të birin iu drejtua portës.

– Babi. Po tani ku po vemi?

– Te Mamaqi bir. Kam prova.

– Babi, babi. Po nuk kanë aktorë ata?

– Jo bir. Aktorët janë bërë politikanë qëkur xhaxhi Lali prishi teatrin. Vetëm unë mbeta.

Xhirimet me Mamaqin mbaruan shumë shpejt. Edi e kishte përvetësuar tekstin mjeshtërisht. Roli i tij ishte i vështirë. Por nuk kishte vështirësi për Edin. Pasi u puth edhe me Mamaqin, Edi iu drejtura portës me djalin përdore.

– Babi! U mërzita dhe kam uri. Po tani ku po shkojmë?

– Te Dervish Hatixheja biro.

– Po a nuk kanë dervish ata?

– Jo bir. Dervishët ishin të gjithë në trans. T’u mbajmë pak ligjërim për baba Aliun, këput dhe ti ndonjë kofshë pule meqë ke uri.

Duaja e Edit në tyrben e Dervish Hatixhesë shkoi për Ilir Metën. Sipas Edit, një ditë Iliri do të ishte aq besnik në politikë sa edhe në futboll, kur bën tifo për Sëlltikun.

– Po tani o ba? Nuk do vemi në shtëpi tek mami?

– Jo bir. Tani do vemi në gjykatë.

– Gjykatë? Po pse? Ç’ka ndodhur?

– Do fusim xhaxhi Saliun në burg.

– O babi, po nuk kanë gjykatës ata?

– Jo biri im. Gjykatësi nuk kaloi vetingun.

Edi nuk e përdori fuqinë e tij. Mund edhe ta vriste por ishte burrë i mëshirshëm. Kështu, Edi dënoi me burg. Pasi hoqi rrobën e magjistrit juridik, Edi iu drejtua portës së gjykatës për të dalë.

– Po tani babi? Prap ndonjë punë?

– Te Fotinia bir.

– Po Fotinia ç’ka?

– I është prishur lavatriçja.

– Po a nuk ka teknik lavatriçesh ky qytet?!

– Jo bir. Punojnë të gjithë në call centera sot. Kush do i bëjë këto të tjerat?

Fotinia i bëri një filxhan kafe, i dha edhe Zahos një çokollatë. Edi e refuzoi kafen. Nuk pinte kurrë në detyrë. E konsideronte rryshfet. Por çokollatën e djalit, meqë kishte uri e lejoi nga mëshira e tij. Lavatriçja u rregullua. Kishte vetëm një defekt të vogël. Tek u përqafua me Fotininë, Edi me të birin iu drejtuan portës.

– Babi, më thuaj që për sot mbaruam!

– Jo bir, kemi edhe një punë të fundit.

– Po ç’punë o ba’. Unë dua të vete në shtëpi të shoh emisionet e fundvitit.

– Do ta shohësh Live bir, jo nga ekrani. Atje po shkojmë.

– Babi, po ç’do bëjmë ne aty?

– Jam i ftuari special bir.

– O babi, po a nuk kanë karagjoz ata?

– Jo bir. Karagjoz në këtë dynja, jam vetëm unë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.