E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Kastrati nuk  mbaron Urën e Kukësit  brenda afatit të përcaktuar në  dhjetor 2023?!
Lajme

Pse Kastrati nuk mbaron Urën e Kukësit brenda afatit të përcaktuar në dhjetor 2023?!

 30 MLN Euro i mori lumi!

Kompania koncesionare “Albanian Highway Concession” me pronarë dy oligarkët Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari thyen edhe afatin e fundit që kishte premtuar për mbarimin e urës mbi Drinin e Zi, që ishte dhjetor 2023.

Ura e Rrugës së Kombit vazhdon të mos jetë ndërtuar dhe në kantier ishin vetëm rojet, mësuam se punimet kanë ngecur për arsye të panjohura.

Të jetë problemi i financimit?

Kastrati ka marrë fillimisht me kontratë 15 milionë euro nga qeveria që të përfundojë urën, por aktualisht, sipas burimeve, pretendohet të jenë harxhuar 30 milionë euro, sepse kanë dalë probleme teknike, të paparashikuara nga projekti fillestar.

Megjithëse Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës (MEI) deklaron në raportet e veta se kostot shtesë përballohen nga koncesionari, kjo nuk është e besueshme. Kontrata asnjëherë nuk ka qenë transparente dhe Kastrati nuk është aq bujar sa të harxhojë 15 milionë euro nga xhepi.

Sa është përqindja e punimeve të kryera?     

Ministrja Belinda Balluku ashtu si edhe kryeministri Rama, vazhdimisht japin lajme se ura mbaron në këtë datë apo në datë, por Kastrati i “tradhton”. Nga kjo urë  kalon pjesa më e madhe e turistëve nga Kosova dhe rajone të tjera. Qytetarët paguajnë për çdo kalim në autostradë dhe meritojnë të marrin shërbimin. Nga ana tjetër, ura që po ndërtohet me taksat tona duhet të jetë po aq e bukur dhe funksionale sa përshkruhet në projekt.

Ura e Re mbi lumin Drin do të jetë më e madhja në Europë në tipologjinë e saj “urë e varur metalike tip hark”, me një kampatë prej 270m,  “shigjetë” e harkut 55m, peshë totale 4200 ton metal Corten B.

Mashtrimet me kontratën e koncesionarit

Kastrati nuk e ka respektuar në asnjë moment kontratën e shfrytëzimit të Rrugës së Kombit. Kështu, akoma nuk ka në përfunduar punimet që janë marrë përsipër të kryhen për sistemimin e në aksin Milot – Morinë. Sipas një informacioni zyrtar të datës 28.03.2023, punimet shtesë (punimet kapitale sipas kontratës) të cilat përbëjnë planin e investimeve të shoqërisë e koncesionare, i cili filloi që me momentin e hyrjes në fuqi të kontratës (dt.09.09.2017) nuk kanë përfunduar. Justifikimi është sikur kanë dalë ca punë shtesë. “Gjatë kësaj kohe shoqëria koncesionare ka realizuar edhe punime të tjera shtesë, përtej planit të parashikuar të investimeve, siç janë psh., ndërhyrja në 12 skarpata shtesë, nga 31 që ka pasur në kontratë, pra në total 43 skarpata. Të gjitha kostot mbi vlerën e parashikuar në kontratë, të këtyre punimeve shtesë, janë përballuar nga koncesionari, pra pa rimbursim apo fatura shtesë për Buxhetin e Shtetit”, raporton MEI, që vazhdimisht mban anën e koncesonarit.

Autostrada e pagëzuar si “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej në vitin 2007 nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha dhe kushtoi mbi 1 miliardë euro. Ndërtimi i rrugës u shoqërua me akuza për abuzime me fondet, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Koncesioni për mirëmbajtjen e saj u dha po ashtu pas një sërë debatesh dhe akuzash në vitin 2016 nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në favor të konsorciumit të kompanive Salillari dhe Kastrati.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.