E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Investigimi/ Një aktivitet kriminal i sofistikuar që cenon integritetin dhe sigurinë kombëtare
Lajme

Investigimi/ Një aktivitet kriminal i sofistikuar që cenon integritetin dhe sigurinë kombëtare

 

Një aktivitet kriminal i sofistikuar, që prek jo vetëm integritetin e disa institucioneve dhe individëve brenda tyre nga korrupsioni dhe konflikti i interesit, por e parë në një aspekt më gjithëpërfshirës, cenon dhe sigurinë kombëtare. Më poshtë, po ju paraqesim një material në trajtën e një analize që përfshin disa fakte të bëra publike, ku një pjesë e tyre janë verifikuar nga aksesi në databazat e institucioneve të ndryshme në këtë vend. Këtu, evidentohet dukshëm një aktivitet kriminal i sofistikuar, që prek jo vetëm integritetin e disa institucioneve dhe individëve brenda tyre nga korrupsioni dhe konflikti i interesit, por cenon dhe sigurinë kombëtare. Konkretisht:

Në fokus të këtij materiali është z. Ermal Beqiri, i cili ka pasur mundësinë jo vetëm të jetë një administrator i shtetit nëpërmjet detyrave shtetërore që ka pasur ndër vite, por dhe si sipërmarrës dhe përfitues i disa kontratave publike nëpërmjet kompanive të tij në fushën e teknologjisë, IT-së, etj.

Ky person, për një kohë rekord, ka akumuluar pasuri të konsiderueshme për veten dhe familjen e tij, sikundër, po operon në fushën e veprimtarisë së biznesit, duke krijuar çdo ditë e më shumë monopolizimin e tregut nëpërmjet aleancave dhe bashkëpunimeve deri diku të provuara korruptive dhe kriminale.

Duke u njohur dhe ballafaquar çdo ditë me evolimin e teknologjisë, si dhe faktin se jemi drejt dixhitalizimit të të dhënave dhe regjistrave të pasurive dhe aktiviteteve ekonomike (tatime, dogana, etj.) në këtë vend, e kur konstatojmë që sisteme të tëra të IT-së si në Kadastër, Tatime, Dogana, etj., kontrollohen e mirëmbahen nga persona me aktivitete të dyshimta kriminale, herë pas here të dhënat e shqiptarëve janë publikuar tashmë në kundërshtim me ligjin, duke krijuar probleme dhe pasiguri në vend.

Nisur nga sa më sipër, po parashtrojmë faktet e mëposhtme:

1. Emri i Ermal Beqirit është ndeshur për herë të parë mes viteve 2011-2012, ku si ekspert IT-je, u përfshi në kryerjen e ekspertimit teknik të një video-përgjimi që u bë publik ku z. Ilir Meta kishte të regjistruar një bashkëbisedim video-audio midis tij dhe z. Dritan Prifti.

2. Në vijim, nga fundi i vitit 2013 apo dhe fillimi i vitit 2014, Ermal Beqiri, me persona të tjerë, ka kryer auditimin tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku pas këtij auditimi, janë fshirë mbi 4 milion deklarata tatimore nga serveri i këtij institucioni, duke shkaktuar kështu një dëm të madh kësaj agjencie shtetërore dhe njëkohësisht rrezikun e administrimit të këtyre të dhënave sensitive nga persona apo grupe të paautorizuara.

Lidhur me këtë ngjarje kriminale, ka pasur një hetim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ky hetim penal është shoqëruar me shumë debate publike, dhe në përfundim të këtij hetimi, ka munguar guximi për të vënë para përgjegjësisë penale personat përgjegjës.

Shënim: Nëse administrohet kjo çështje penale, e cila gjendet tashmë në arkivat e Prokurorisë Tiranë, dhe analizohen me kujdes provat dhe të dhënat e administruara nga ky hetim, me siguri do të gjenden të konsumuara nga subjektet që ishin target i këtij hetimi penal, elementët e figurave të veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” të parashikuar nga neni 135, etj., të Kodit Penal. Në pamje të parë, për shkak të viteve që kanë kaluar, ky fakt që mund të ketë një ose disa vepra penale që konkurrojnë me njëra-tjetrën, mund të jenë parashkruar, por gjithsesi mund të shërbejë si vepër/vepra penale bazë për të pasur në vijim, akuzën e “Pastrimit të produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal.

3. Pas këtij veprimi, Ermal Beqiri fillon angazhimin e tij si Drejtor i IT-së tek Zyrat Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë. Për shkak të proceseve transformuese të lidhura ngushtë dhe me zhvillimet teknologjike që diktonte koha, pranë këtij institucioni, gjatë viteve 2014-2017 janë kryer shumë investime në fushën e IT-së dhe tenderët e realizuara për këto qëllime janë fituar nga shoqëria “Soft & Solution” sh.p.k.

Kjo shoqëri ishte e Ermal Beqirit që nga krijimi i saj në vitin 2011 e në vijim, por ai e ka fshehur pronësinë mbi të, kryesisht nën emrin e punonjëses së tij, Arjola Koromani, deri sa e ka kaluar në emrin e tij në vitin 2021. Pra, Ermal Beqiri, për shkak të pozicionit të punës si Drejtor IT-je (Drejtorinë e Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë), përcaktonte rregullat dhe kriteret e tenderëve që do zhvillonte, caktonte në këto komisione tenderimi persona nën varësinë e tij, e si përfundim, fituese e tenderit rezultonte shoqëria e tij “Soft & Solution” sh.p.k. Pra, rezulton një cikël i mbyllur në aktivitetin e Ermal Beqirit, ku si drejtues institucioni shtetëror që ishte, krijonte të gjitha kushtet e favorshme që shoqëria e tij të ishte fituese e tenderëve publik për disa raste gjatë viteve 2014-2017, etj.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.