Hezbollahu lëshon qindra raketa ndaj Izraelit, reagon Biden, nuk heq dorë nga mbështetja për Netanyahun
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka reaguar pas sulmeve të Hezbollahut, me grupin e Libanit që hodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm ëindra raketa ndaj Izraelit.
Biden i ka urdhëruar zyrtarët të mbajnë komunikim të ngushtë me Izraelin ndërsa ka shtuar se do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.
Lajmi konfirmohet për BBC nga një zëdhënës i sigurisë kombëtare të SHBA.
Pentagoni ka reaguar gjithashtu duke thënë se SHBA-ja është “e vendosur për të mbështetur” mbrojtjen e Izraelit.
Grupi libanez ka njoftuar nisjen e një sulmi ndaj Izraelit me një numër të madh dronësh, si hakmarrje për vrasjen e komandantit ushtarak, Fouad Soukr, në një sulm ajror izraelit në një periferi të Bejrutit muajin e kaluar.
Në një deklaratë më të fundit, grupi tha se kishte përfunduar “fazën e parë” të hakmarrjes, duke pretenduar se kishte goditur 11 objektiva ushtarake izraelite dhe kishte lëshuar më shumë se 320 raketa.
Nga ana e saj, ushtria izraelite njoftoi në orët e para të mëngjesit se po ndërmerrte sulme ajrore parandaluese në Liban, si një veprim parandalues pasi tha se Hezbollahu po përgatitej të lëshonte raketa drejt Izraelit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në frontin e brendshëm për 48 orët e ardhshme, kjo do të thotë se mund të vendosen kufizime për lëvizjen civile. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Këshilli i Sigurimit i vendit po mblidhej.
“Ne kemi vëzhguar përgatitjet e Hezbollahut për sulme në shkallë të gjerë kundër territorit izraelit. Kushdo që ndodhet pranë zonave ku vepron Hezbollahu duhet të largohet menjëherë për mbrojtjen e tyre dhe të familjes së tyre” tha ushtria izraelite në një mesazh të shkruar në arabisht për banorët e Libanit jugor.
Në një video të publikuar përmes X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari theksoi se “aeroplanët luftarakë aktualisht po sulmojnë” pozicionet e Hezbollahut.
Ndërkohë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se presidenti amerikan Joe Biden po “monitoron nga afër ngjarjet në Izrael dhe Liban”.
“Gjatë gjithë natës ka qenë bashkë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Nën drejtimin e tij, zyrtarë të lartë amerikanë komunikuan vazhdimisht me homologët e tyre izraelitë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt stabilitetit rajonal”, tha Savett.


Sipas mediave izraelite, fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion, afër Tel Avivit, u pezulluan për shkak të operacioneve, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte aktivizuar sirenat e mbrojtjes ajrore, duke u bërë thirrje banorëve të nxitojnë në strehimore, në pjesën veriore të vend, në kufi me Libanin./ “BBC”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



