Vetingu – Sukses apo Dështim?
Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Drejtësia e munguar, është drejtësi e harruar…

Naim Noka
Pas shtatë vitesh nga nisja e procesit të vetingut, mbi 800 prokurorë dhe gjyqtarë kaluan nëpër një sitë që synonte të pastronte drejtësinë shqiptare nga korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit. Sot, kur mbeten vetëm 6 magjistratë për t’u vlerësuar, pyetja që mbetet pezull është: a ja vlejti ky proces apo ishte thjesht një fasadë e fshehur pas statistikave?
Vetingu nisi me një premtim të qartë: të rikthente besimin e humbur të qytetarëve tek drejtësia. Synimi ishte, kontrolli i pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të magjistratëve. Dukej sikur po hapnim një epokë të re, ku drejtësia do të ngrihej mbi baza të pastra dhe transparente.
Nga shkurti 2018 deri më 11 tetor 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) arriti të konfirmojë 368 magjistratë, ndërsa 267 të tjerë u larguan nga sistemi. Përveç këtyre, 105 gjyqtarë dhe prokurorë vendosën të dorëhiqen për të shmangur përballjen me sitën e vetingut.
Në shifra, duket se sistemi ka kaluar një revolucion, por pas këtyre largimeve u krijuan 273 vakanca – një boshllëk që vazhdon të rëndojë rëndë mbi sistemin e drejtësisë.
Largimi masiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve, në vend që të përmirësonte sistemin, krijoi vakume të mëdha dhe ngadalësoi rrjedhën e proceseve gjyqësore. Gjykatat janë kthyer në magazina të dosjeve që presin me vite të zgjidhen, ndërsa qytetarët humbasin gjithnjë e më shumë besimin në një reformë që premtoi shumë, por bëri pak.
Sistemi i drejtësisë është rrënuar nga politizimi dhe mungesa e burimeve njerëzore, dhe ka humbur aftësinë për t’u përballur me sfidat e përditshme.
Përpjekjet e SPAK për të vënë para drejtësisë disa gjyqtarë të lartë e të Kushtetueses që dolën të korruptuar përbëjnë një hap pozitiv. Sekuestrimi i pasurive të disa prej tyre është një arritje, por nuk mjafton për të rikthyer besimin e qytetarëve.
Drejtësia mbetet ende e zhytur në krizë, dhe procesi i vetingut duket se është më shumë një përpjekje për të zbuluar simptomat sesa për të kuruar problemin.
Në fund të fundit, a ishte vetingu një sukses?
Sigurisht, heqja nga detyra e mbi 500 gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk arritën të justifikonin pasuritë ose figurën e tyre përbën një përparësi.
Por pas kësaj spastrimi, çfarë ka mbetur? Një sistem i dobësuar, një drejtësi që lëngon nga mbingarkesa, dhe një shoqëri që ndjen se është më larg drejtësisë se kurrë më parë.
Le të mos harrojmë se sistemi që solli vetingun nuk ka ndryshuar thelbësisht.
A ka hije dyshimi mbi vetingun?
Shkelja e Kushtetutës gjatë zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku me vetëm 69 vota, në vend të shumicës së kërkuar prej 84 votash, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e procesit dhe të reformës në drejtësi.
Reforma u votua fillimisht me unanimitet prej 140 votash në Kuvend, duke krijuar pritshmëri të mëdha, por mënyra e emërimit të Markut e minoi besimin në procesin e mëtejshëm.
Shumë nga hartuesit e reformës ishin figura të afërta me shumicën qeverisëse , gjë që ka shtuar dyshimet për ndërhyrje politike në drejtësi.
Po ashtu, ka munguar një veting i vërtetë për trupën e gjyqtarëve që kryen vetë procesin e vetingut, duke ngritur pyetjen: a ishte edhe ky proces i pastër apo u përdor për të favorizuar individë të lidhur me qeverinë?
Rasti i Luan Dacit, gjyqtari që vetë mori vendime në emër të pastërtisë së sistemit të drejtësisë, ka ngritur një pikëpyetje të madhe mbi integritetin e vetingut.
Daci u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas një vendimi për falsifikim dokumentesh.
Ironia ishte se gjytari që kishte rol kyç në pastrimin e sistemit të drejtësisë, u kap vetë i përfshirë në akte të pandershme. Ky rast ngre dyshime serioze mbi procesin e vetingut dhe standardet e tij.
Arrestimi kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka , pas kalimit të procesit të vetingut, ngre dyshime të mëdha mbi efektivitetin e këtij procesi.
Kur prokurorë të konfirmuar si të pastër përfundojnë në pranga nga SPAK, pyetja që shtrohet është: sa i besueshëm është vetingu në të vërtetë?
Ky rast tregon se vetë kalimi i sitës së vetingut nuk garanton imunitet ndaj korrupsionit, duke minuar besimin e publikut në reformën e drejtësisë.
Sa i besueshëm ishte vetingu me rastin e anëtarit të KLGJ Alban Toro?
Rasti i Alban Toros, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, që u hetua nga SPAK për falsifikim dokumentesh, hodhi hije dyshimi mbi besueshmërinë e vetingut. Akuzat për falsifikim në dokumentet e dorëzuara për t’u zgjedhur në KLGJ tregojnë se edhe individë që kalojnë sitën e këtij procesi mund të jenë përfshirë në mashtrime, duke vënë në pikëpyetje integritetin e vetingut dhe efektivitetin e tij.
Politikanët që e inicuan këtë proces vazhdojnë të mbajnë timonin, duke kontrolluar të njëjtat struktura që pretendonin se po i reformonin.
Si e shohin Pozita dhe Opozita vetingun dhe reformën në drejtësi?
Pas shtatë vitesh nga nisja e procesit të vetingut, vlerësimet e politikanëve në Shqipëri ndahen sipas pozicioneve të tyre politike.
Nga pozita, vetingu vlerësohet si një sukses i rëndësishëm që ka pastruar sistemin e drejtësisë nga elementë të korruptuar dhe ka forcuar institucionet, duke krijuar një themel të ri për një drejtësi më të pastër dhe më të pavarur.
Kryeministri Rama dhe mbështetësit e tij e kanë quajtur procesin një reformë historike që po ndryshon rrënjësisht Shqipërinë.
Nga ana tjetër, opozita, veçanërisht Partia Demokratike dhe eksponentë të tjerë kritikë, e kanë cilësuar vetingun si të politizuar dhe të paplotë. Ata kanë ngritur vazhdimisht shqetësime mbi pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe kanë akuzuar qeverinë Rama për manipulimin e procesit .
Një nga kritikat kryesore është se, pavarësisht hetimeve të SPAK dhe gjyqësorit ndaj disa zyrtarëve, figura si kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj kanë shpëtuar pa hetime serioze, pavarësisht dyshimeve të ngritura ndaj tyre për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Dyshimet mbi pavarësinë e SPAK dhe shkallëve të gjyqësorit përforcohen nga fakti se rastet më të bujshme që përfshijnë figurat kryesore të qeverisë, si Rama dhe Veliaj, nuk janë ndjekur penalisht.
Kjo ka krijuar perceptimin se drejtësia ka zgjedhje të dyfishta, duke hetuar dhe dënuar më shumë zyrtarë të nivelit të mesëm dhe duke anashkaluar zyrtarët e lartë me mbështetje politike.
Ky lloj perceptimi dobëson besimin publik në proces dhe e bën të vështirë për shumë shqiptarë të besojnë se vetingu dhe reformat e drejtësisë janë tërësisht të pavarura dhe të ndershme.
Reforma në drejtësi kushton 40 milionë dollarë në vit
Komisioni i Reformës në Drejtësi, drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ka paralajmëruar disa masa për të përmirësuar dhe forcuar institucionet e krijuara nga reforma në drejtësi, si SPAK dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Xhafaj ka deklaruar se procesi i reformës është në zhvillim dhe se institucionet e drejtësisë po përballen me sfida të mëdha, por mbështetja e ndërkombëtarëve për vijimin dhe përmirësimin e reformës mbetet e fortë.
Xhafaj gjithashtu ka nënvizuar se reforma ka nevojë për rregullime të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, dhe se komisioni që drejton do të vijojë me monitorimin e institucioneve të dala nga kjo reformë për të siguruar se ato funksionojnë siç duhet, duke pasur gjithmonë parasysh mbështetjen ndërkombëtare në këtë proces.
Vetëm koha do të tregojë nëse vetingu ishte thjesht një përpjekje për ta zhvendosur problemin diku tjetër, apo një hap drejt një të ardhmeje më të ndershme dhe më të drejtë.
Sot, kur vetingu mbyll një kapitull të rëndësishëm, ne po hyjmë në një fazë të re ku sfidat e vërteta sapo kanë filluar. Në fund të fundit qytetarët shqiptarë socialistë e demokratë dhe të pa parti, janë duke përjetuar fatin e hidhur : Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Drejtësia e munguar, është drejtësi e harruar…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



