Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama tha se nëse përshpejtohen reformat, Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025.
Gonzato deklaroi se është urgjente nevoja për të rindërtuar një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik të Shqipërisë.
“Raporti njeh plotësisht faktin se Shqipëria është në harmonizim të plotë me politikën e jashtme të BE-së. Komisioni sheh një mundësi që të përshpejtohet procesi i anëtarësimit në BE.
Nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund të çelë të gjithë grupkapitujt deri në fund të 2025. Komisioni deklaron se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në 2027. Raporti i 2024 për Shqipërinë ofron orientim të rëndësishëm, rekomandimet dhe masat për vitin që vjen.
Grup kapitulli i themeloreve- sa i përket kriterit politik, raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht e kënaqshme, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e parlamentit për të luajtur rolin e vet kyç ligjvënës dhe të mbikëqyrjes dhe rezulton po kështu dhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçe. Po kështu dhe për shkak të mangësive të patrajtuara në procesin zgjedhor dhe mungesës së konsultimeve kuptimplota publike.
Mesazhi kryesor këtu është nevoja urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik të Shqipërisë, por gjithashtu edhe për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE. Funksioni i gjyqësorit, komisioni vëren disi progres në këtë fushë, sidomos me afrimin drejt fundit të procesit të vettingut që është një gur themeli kryesore.
Shqetësimet mbeten për sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor si dhe mangësi sa i takon emërimeve bazuar në meritë të anëtarëve jo magjistratë në KLGJ dhe KLP. Raporti jep rekomandime specifike për të trajtuar këto çështje”, tha ndër të tjera Gonzato.
Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama u përgjigj pas mesazhit të ambasadorit të BE, Gonzato për dialog konstruktiv politik gjithëpërfshirës.
Rama ia kaloi faturën opozitës duke bërë dhe ironi duke u hsprehur se zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime dhe nuk ndalohet dot.
“Kur duhet të vallëzosh duhen dy vetë dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot është shumë e thjeshtë, kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë.
Nëse nuk ka gatishmëri nga të dyja anët për të folur s’ka dialog. Është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qasjen dhe qëndrimet tona. Është zgjedhja e tyre legjitime, dhe zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime nuk ndalohet dot”, deklaroi Rama.