E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Krimi makabër në ’97, prokuroria jep pretencën për kreun e ‘Bandës së Vakëfit’
Lajme

Krimi makabër në ’97, prokuroria jep pretencën për kreun e ‘Bandës së Vakëfit’

Prokuroria Berat ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin pasi viktimat u dogjën të gjallë.

Hajro njihet si kreu i Bandës famëkeqe të Vakëfit.

Më gusht 2019, Byniamin Hajro u ekstradua nga Gjermania pas 21 vitesh në kërkim nga autoritetet shqiptare. Hajro ka qenë në listën e 16 personave më të kërkuar në qytetin e Beratit. Ai akuzohet për vrasjen e dy të rinjve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.

Hajro në bashkëpunim me persona të tjerë, të paidentifikuar, i rrëmbyen dy të rinjtë, i torturuan me sende të forta, edhe me armë zjarri, dhe më pas i dogjën të gjallë në një garazh. Më pas, Hajro dhe anëtarët e bandës Vakëf, i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytetin e Beratit.

Me nisjen e hetimeve, familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat u larguan jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes. Por prova vendimtare që siguroi prokuroria, e cila zbardhi edhe ngjarjen, ishte dëshmia e shtetasit Ronaldo Pema, vëllait të njërit prej viktimave.

Ai kishte qenë bashkë me të në momentin kur makina e autorëve ndaloi aty dhe anëtarët e bandës Vakëf me armë në kokë e detyruan të riun të hipte në mjetin e tyre për ta çuar te vendi i keqtrajtimit. Në dëshminë e tij, Ronaldo Pema tregoi me detaje se si 4 të akuzuarit keqtrajtuan dy të rinjtë, dhe më pas i lidhën, u hodhën benzinë, i dogjën, dhe më pas autorët e kësaj ngjarje makabër u larguan të qetë.

Prokuroria provoi se i pandehuri Byniamin Hajro, ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.

Ngjarja

Më 2 qershor 1997, në shenjë hakmarrje për një të afërmin e tyre që akuzohet për vrasje dhe grabitje me armë, “Banda e Vakëfit”, ka rrëmbyer në lagjen “Kushtrimi” Eduart Pemën dhe Arjan Avdullain, duke i lidhur me tela me gjemba në një ambient në periferi dhe më pas torturuar gati për vdekje.

Më tre qershor, në mënyrë publike i kanë tërhequr të dy zvarrë në rrugët e qytetit që të terrorizonin edhe qytetarët, me dëshmitarë të shumtë.

I kanë lënë në sheshin e lagjes së tyre duke i shkrumbuar me zjarr, teksa njëri ishte ende i gjallë. Sikur të mos mjaftonte kjo, i kanë sharruar edhe me plumba dhe më pas janë larguar.

“Banda e Vakëfit” Berat:

Byniamin Hajro (Bujo Çami) kreu i grupit.

Kudret Zhuka, 49 vjeç, i arrestuar

Kastriot Frashëri, 45 vjeç, i arrestuar

Gazmend Hoxha, 41 vjeç, në kërkim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.