Ish-ministri: Në burg kushdo që i dha urdhër Gardës të bllokonte Berishën!
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka deklaruar se kushdo që i dha urdhër Gardës të bllokonte ish-Kryeministrin Sali Berisha të fliste në Parlament, duhet të arrestohet.
Këtë deklaratë Manjani e bëri në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme. Sipas Manjanit, ish-Kryeministrit Berisha ia dha fjalën kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe nuk mund ta ndalonte askush që të shkonte në foltore.
“Ai që u ka dhënë urdhër atyre gardistëve për t’i ndërprerë fjalën një deputeti…Kryetari i Parlamentit që është autoriteti në Parlament, është njeriu që të jep fjalën, dhe pas kësaj çohet Garda e Republikës dhe ndërpret deputetin të flasë, ky është puç. Është shkelje e hapur, është dhunë e pastër e fjalës së lirë. Ai që e ka dhënë këtë urdhër, në qoftë se kjo prokurore e re do që të ketë ndonjë pikë, ta arrestojë sot. Futen sonte në burg të gjithë siç janë aty në rresht dhe e nxjerrin vet ata se kush e ka dhënë urdhrin. Duhet sonte”, deklaroi Manjani në “Opinion”.
Më herët gjatë ditës së sotme, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për bllokim e tij nga efektivët e gardës në kohën kur po shkonte në foltore.
“Sot në parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash ndaj meje. Kërkova fjalën për procedurë. Kryetari i parlamentit më kërkoi të flisja pas parafolësit. Kështu u veprua. U nisa drejt platformës për të thënë tre minuta fjalë të mia për procedurë. Edi Rama urdhëroi mercenarët, shefin e rojeve të Gardës dhe bëri një pritë që nuk ka ndodhur kur në historinë e parlamentit”, tha Berisha për gazetarët pasi doli nga salla e parlamentit, ndërsa më pas apeloi që deputetët e opozitës të djegin mandatet pas zgjedhjes së kryeprpokurores së përkohshme nga mazhoranca. Proces që opozita e cilësoi antikushtetues.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



