Në Shqipërinë e Edi Ramës, një ligj i miratuar në Kuvend është vetëm preludi i një skeme të errët, ku shfaqen grupe mafioze, listime sekrete, pazare korrupsioni dhe kërcënime për jetë. Rasti i licencave të basteve sportive dhe atyre për kultivimin e kanabisit është ilustrimi më i qartë i degradimit total të shtetit shqiptar nën tutelën e klanit Rama.
Bastet dhe monopoli familjar i “Moligix”
Në 10 muajt që pasuan miratimin e ligjit për bastet sportive në shkurt të 2024-ës, Edi Rama ka hartuar jo më pak se shtatë lista me kompani që do përfitojnë këto licenca. Në çdo listë, një emër mbetet i pandryshuar: kompania “Moligix,” e lidhur me Olsi Ramën. Synimi? Një monopol i kontrolluar nga familja Rama, ku “Moligix” do të jetë qendra, ndërsa të tjerët thjesht nën-licencuar që raportojnë për fitimet.
Por ky plan nuk ka kaluar pa rezistencë. Grupet mafioze që kanë investuar miliona për të blerë ndikimin e kryeministrit tani kërkojnë pjesën e tyre të tortës, qoftë me para, qoftë me kërcënime të hapura. Në këtë betejë, rivaliteti “për jetë a vdekje” ka ngrirë procesin e licencimit. Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ngecur në mes të kësaj lufte, duke mos guxuar të japin dritën jeshile.
Kanabisi: Llogaritarët e mafias dhe lejet e bllokuara
E njëjta histori përsëritet me ligjin për kultivimin e kanabisit, miratuar në korrik 2023. Me 200 hektarë të ndarë mes 15 kompanive të përzgjedhura, të gjitha me aksionarë shqiptarë dhe të huaj, skema duket si një përpjekje e rafinuar për të justifikuar praninë e mafias ndërkombëtare në Shqipëri. Nga rusët te turqit, serbët dhe arabët, të gjithë kanë marrë premtime nga Rama për licenca afatgjata dhe miliona euro fitime, por ende asnjë leje nuk është dhënë.
Nëse këto leje vonohen, nuk është për shkak të ndonjë shqetësimi moral apo ligjor. Arsyeja e vërtetë është lufta e egër mes grupeve mafioze që kërkojnë të dominojnë tregun. Madje, edhe partnerët ndërkombëtarë si DEA, Europol dhe Qendra Evropiane e Anti-Drogës kanë refuzuar kompanitë e propozuara, duke i konsideruar ato si maska të mafias globale.
Surreli dhe “sarajet” e korrupsionit
Në këtë klimë kaotike, çdo veprim duket i orientuar nga një qëllim: forcimi i pushtetit absolut të Edi Ramës dhe familjes së tij mbi ekonominë kriminale të vendit. Kjo nuk është thjesht një çështje licencash, por një betejë për të kontrolluar tregjet më fitimprurëse të vendit: bastet dhe kanabisi. Surreli nuk është më vetëm simbol i pushtetit, por edhe një “seli” qëndrore ku merren vendime që formësojnë të ardhmen kriminale të Shqipërisë.
Kjo luftë për jetë a vdekje nuk është vetëm mes bandave mafioze, por edhe një refuzim për t’u nënshtruar plotësisht tek një kryeministër që po e trajton shtetin si pronën e tij private. Një pyetje mbetet pezull: Sa gjatë do ta tolerojnë shqiptarët këtë “Bablokokraci”?/Vala News