E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Administrata Trump nis hetimet për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në Ballkan: 250 milionë dollarë të zhdukur
Lajme

Administrata Trump nis hetimet për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në Ballkan: 250 milionë dollarë të zhdukur

 

Administrata e Presidentit Donald Trump ka kaluar nga denoncimet publike për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në shtetet e Ballkanit, në veprime konkrete, duke dërguar një grup prokurorësh për të hetuar mënyrën se si janë përdorur fondet e taksapaguesve amerikanë.

Në krye të këtij ekipi hetimor është ish-prokurori federal Martin De Luca, i cili ka nisur hetimet nga Sarajeva. Sipas gjetjeve të para, vetëm në katër vitet e fundit, USAID ka shpërndarë rreth 402 milionë dollarë për projekte në Ballkan, ku një pjesë e madhe e tyre kanë përfunduar në organizata të lidhura me fondacionin Soros. Por ajo që ka ngritur alarm është fakti se rreth 250 milionë dollarë nuk mund të përcaktohet se ku kanë përfunduar.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para të qytetarëve amerikanë. Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqpërdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave, ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete”, – tha Martin De Luca.

Fokus edhe në Shqipëri: USAID financoi Reformën në Drejtësi dhe persekutimin politik

Një ditë më parë, në Kongresin Amerikan, u soll në vëmendje edhe rasti i Shqipërisë, ku u tha se fondet e USAID-it u përdorën për të financuar Reformën në Drejtësi dhe për persekutimin politik të liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo ka sjellë edhe një vendim drastik nga SHBA: ndërprerjen e plotë të fondeve të USAID-it për Organizatat Joqeveritare (OJQ) në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ambasada Amerikane në Tiranë konfirmoi disa javë më parë këtë vendim, ndërsa burime nga Departamenti i Shtetit kanë bërë me dije se ky është një vendim politik i Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, si pjesë e një direktive për të ndaluar shpërdorimin e fondeve dhe për të rishikuar prioritetet e ndihmës amerikane.

Njoftimi zyrtar i qeverisë amerikane për pezullimin e fondeve u shpërnda për të gjitha OJQ-të e prekura, ku thuhej:

“I nderuar Partner, Grantet tuaja (award cc) po ndërpriten për lehtësinë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në përputhje me një direktivë nga Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, për t’u përshtatur me prioritetet e Agjencisë dhe interesin kombëtar. Vendimi për të ndërprerë këtë grant individual është një përcaktim politik i cili i përket Sekretarit të Shtetit. Instruksione të detajuara do të pasojnë dhe një modifikim/amendament zyrtar për të formalizuar këtë veprim do të vijë nga Zyra e Granteve.”

Kongresi Amerikan: USAID, një mjet i Soros për të ndikuar në politikën e Ballkanit

Ndërkohë, Komisioni i Posaçëm për Efikasitetin e Qeverisjes në Kongresin Amerikan ka deklaruar se ndihma amerikane përmes USAID është përdorur nga miliarderi George Soros për të ndikuar në drejtësinë dhe politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky hetim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Administratës Trump për të pastruar shpërdorimin e fondeve të ndihmës ndërkombëtare, një fenomen që ka qenë në qendër të kritikave për vite me radhë.

USAID është një nga agjencitë më të mëdha të ndihmës ndërkombëtare në botë, e cila ka operuar në mbi 100 vende, duke shpërndarë miliarda dollarë çdo vit. Por administrata Trump e ka akuzuar këtë organizatë për mungesë transparence dhe përdorim të fondeve në projekte që nuk janë në përputhje me interesat amerikane. Për këtë arsye, shumë nga funksionet e USAID-it tashmë do të menaxhohen direkt nga Departamenti i Shtetit.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vendet më të prekura nga ndërprerja e fondeve

Sipas burimeve zyrtare, vendimi për pezullimin dhe ndërprerjen e plotë të fondeve për OJQ-të është marrë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi këto janë dy vendet ku ndikimi i Soros ka qenë më i madh.

Vendimi i qeverisë amerikane për të pezulluar fondet e USAID-it në këto dy vende konsiderohet si një goditje e fortë për organizatat që kanë përfituar nga këto fonde, veçanërisht ato të lidhura me reformën në drejtësi dhe institucionet e reja të ngritura pas saj.

Ndërkohë, hetimi i nisur nga Martin De Luca do të shtrihet në të gjithë rajonin, për të zbuluar sesi janë përdorur paratë e taksapaguesve amerikanë dhe nëse këto fonde kanë ndihmuar realisht vendet për të cilat ishin destinuar, apo kanë shërbyer për interesa të tjera politike.

Ky zhvillim pritet të sjellë pasoja të mëdha në skemën e financimit ndërkombëtar në Ballkan, si dhe të rrisë presionin mbi qeveritë e rajonit për transparencë në përdorimin e fondeve të huaja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.