Tallava politike me lojë videosh nga Edi i ‘Surrelit’ dhe Luli i ‘Xhomllikut’

Albert Mero
Kur qeveria njoftoi me bujë mbylljen e TikTok-ut, mesazhi që përcolli ishte i qartë: “Shqiptarë, ne ju shpëtuam nga banaliteti dhe propaganda!” Por, një javë më pas, ata që me krenari morën këtë vendim, na dëshmuan se problemi nuk ishte fare tek një aplikacion, por tek ata vetë – regjisorët e tragjikomedisë politike që drejton këtë vend.
Sepse, ndërsa qytetarët përpiqeshin të kuptonin si t’i mbijetonin jetës pa scroll dhe like, dy “repistët” më të rinj të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Lulzim Basha, nisën një betejë epike videosh në rrjetet sociale. Jo për të diskutuar mbi rrogat, korrupsionin apo largimin masiv të shqiptarëve. Jo, jo! Por për të bërë diss-e dhe thumbime, njëri kundër tjetrit, në një nivel që edhe “BBV” apo “Për’puthen” do ta kishin zili.
Dhe ja ku jemi! Në vend që të dëgjojmë politikanët të flasin për kriza dhe reforma, po ndjekim një duel absurd, ku kryeministri dhe “lideri i opozitës euroatlantike” tallen me njëri-tjetrin si dy çuna lagjeje që kanë bërë pakt për të argëtuar kalamajtë e rrjeteve sociale.
Nga dajria e 2017-s tek zhargoni i “çunave të lagjes”
Edi Rama nuk është i ri në këtë lojë. Kujtoni dajren e famshme të 2017-s! Kujtoni “showman”-in që këndon, aktoron, aktron e bën gjithçka për të shmangur një debat serioz politik. Sepse në Shqipëri nuk fiton ai që ka planin më të mirë, por ai që di të bëjë më shumë spektakël.
Rama e ka kuptuar më mirë se kushdo se populli shqiptar e do cirkun politik po aq sa reality show-t. Prandaj, ai nuk të lodh me shifra, plane dhe reforma. Jo, vëlla! Ai të jep humor, thumba dhe show.
Në anën tjetër, edhe Basha është futur në këtë lojë, ndoshta i detyruar. Ai e kupton që “Euroatlantikja” është një opozitë e lodhur, dhe që as Berisha, as Meta nuk do ta lënë të marrë hov. Atëherë, ç’të bëjë? Të marrë pjesë në reality show-n e rradhës. Dhe kështu, Basha zgjedh të jetë një “personazh”, që përpiqet të futet në lojën e Ramës, edhe pse duket më shumë si një figurant sesa si konkurrent i vërtetë.
Zhargoni i “çunave të lagjes” dhe tallavaja e TikTok-ut
Në këtë shfaqje të shëmtuar, liderët politikë kanë zgjedhur një imazh krejt të ri për t’iu përshtatur kulturës së rrjeteve sociale. Nuk janë më politikanë seriozë, me kostume dhe oratori të ngritur. Jo! Tani janë “çunat e lagjes” – ata që flasin si rrugicaxhinj, që përdorin zhargonin “tirons”, thumbat me batuta seksiste dhe videot që duken si freestyle battle mes reperësh.
Skena është e njohur për të gjithë:
👉 Një tufë “çunash” në makinat e shtrenjta, me sfond muzikë rep dhe fjalor me katër fjalë që qarkullojnë rreth e rrotull.
👉 Vajzat dhe djemtë që bëjnë like, share dhe komente në videot e liderëve politikë si të ishin influencer-a të TikTok-ut.
👉 Mosha mbi 30 që argëtohet nëpër kafene, duke shijuar këtë spektakël banal, duke rritur akoma më shumë shikimet.
Dhe ja ku kthehemi te pyetja më e thjeshtë: Si mund të presësh që rinia shqiptare të mos sillet kështu, kur shembullin e parë të këtij infantilizmi e japin vetë liderët politikë?
Njerëzit e arsimuar? Ata janë harruar!
Në këtë tallava politike, një kategori njerëzish ka mbetur krejtësisht jashtë: teknokratët, njerëzit me ide, ata që kërkojnë një debat të vërtetë. Ata janë të zhgënjyer, të neveritur dhe të braktisur. Po kush pyet për ta?
Shqiptarët sot duan spektakël. Përndryshe, si shpjegohet fakti që:
🎶 Tallavaja ka pushtuar çdo lokal, çdo radio, çdo ambient publik.
📺 Shqipëria ndalon së funksionuari kur transmetohet “Big Brother Vip”.
🎭 Spektakle si “Portokalli” shesin biletat në kohë reale, ndërsa debatet politike janë bosh.
Prandaj, nuk është çudi që edhe politika ka zgjedhur të bëhet reality show.
Budallallëku nuk ka nevojë për TikTok
Në fund të fundit, nuk është teknologjia që ka krijuar këtë realitet. TikTok-u mund të mbyllet, mund të censurohet edhe Facebook-u e Instagrami, por dezinformimi, demagogjia dhe banaliteti do të gjejnë gjithmonë një rrugë për të dalë në pah.
Nëse qeveria e ka seriozisht luftën kundër bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes, le ta fillojë nga vetja. Sepse asnjë ligj nuk do të ndalojë këtë nivel banaliteti, për sa kohë liderët politikë janë shembulli më i keq i tij.
Deri atëherë, bëhuni gati për episodin e radhës të reality show-t politik, ku Rama dhe Basha ndoshta do të na surprizojnë me një freestyle battle, një diss të ri apo një video virale më thumbuese se e fundit.
Dhe, për t’u përshtatur me atmosferën e kësaj fushate, po ju përshëndes me një këngë që ndoshta përshkruan më së miri këtë realitet:
🎶 “Tirana Jonë” – Dr. Flori ft. Edi Rama 🎶
Se në fund të fundit, këtu nuk ka rëndësi kush fiton zgjedhjet. Fiton ai që ka më shumë klikime!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



