Denoncimi tronditës i një oficeri të Forcave të Armatosura: Edhe uniformat i blejmë vetë

“Uniformat në Letër, Varfëria në Realitet”

Nga redaksia | Publik.al

“Me 60 eurot që shpenzova për të blerë uniformën e punës, do të doja t’i kisha blerë një kostum sportiv djalit tim, që më lutet prej një muaji. Por nuk mundem!” – Ky është zëri i dhimbshëm dhe i revoltuar i një oficeri të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili denoncon për Publik.al një situatë të papranueshme dhe alarmante: ushtria shqiptare është zhveshur jo vetëm nga uniformat, por edhe nga dinjiteti.

Prej më shumë se pesë vitesh, sipas denoncimit, Ministria e Mbrojtjes nuk ka siguruar uniformat që ligjërisht duhet t’u shpërndahen ushtarakëve dy herë në vit. Në vend të kësaj, oficerët dhe ushtarët janë të detyruar t’i blejnë vetë me para nga xhepi. Një shkelje e rëndë ligjore, një abuzim i pastër me fondet publike, dhe një dëshmi tronditëse e shpërfilljes sistematike të forcave që duhet të mbrojnë vendin.

Tendera në letër, realitet i zhveshur

Në dokumentet zyrtare, qeveria shpall tenderë milionash për pajisje ushtarake dhe uniforma. Por realiteti në terren është krejt tjetër. “Ku janë fondet që janë shpallur për tendera marramendës? Nëse uniformat janë blerë në letër, pse ne vazhdojmë t’i blejmë vetë?”, pyet oficeri, që ka më shumë se 16 vite shërbim në radhët e ushtrisë. Pyetje që mbetet pa përgjigje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, tashmë nën drejtimin e Pirro Vengut.

Rrjeti abuziv: nga Ministria në dyqanet private

Denoncimi i parë është edhe më i rëndë. Oficeri tregon për një skemë të dyshuar abuzimi që lidhet me persona pranë Ministrisë së Mbrojtjes: “Një nga këto lëpirsat e Ministrisë ka hapur dyqan dhe i shet uniforma. Të gjithë ne detyrohemi t’i blejmë aty.” Adresa e këtij dyqani, sipas tij, është e njohur për të gjithë ushtarakët.

Kjo skemë, që ngjason me një monopol të heshtur, nënkupton se fondet e shtetit mund të jenë zhdukur ose devijuar, ndërsa ushtarakët paguajnë dy herë: një herë si taksapagues, dhe një herë nga rroga e tyre për të blerë uniformat që shteti duhet t’ua japë falas.

Frikë, presion dhe heshtje e detyruar

Ushtaraku që denoncon situatën për Publik.al nuk e fsheh frikën. “Leje nuk marrim kurrë. Nëse ankohesh, të transferojnë sa më larg. Ushtria shqiptare vidhet pa hesap.” Kjo është panorama e një institucioni ku heshtja imponohet me kërcënime, dhe ku abuzimi institucional është bërë normë.

Denoncimi i dytë: Shkelje të të drejtave bazë

Një tjetër ushtarak i kontaktuar nga Publik.al konfirmon vërtetësinë e situatës, duke shtuar detaje edhe më shqetësuese. “Orët e natës nuk paguhen. Shërbimet bëhen më shumë nga sa duhet. Menca ka ushqim me kushte të papërshtatshme.” Kjo do të thotë se ligji për pagën, orarin dhe ushqimin në forcat e armatosura po shkelet hapur, pa asnjë pasojë për drejtuesit.

Shqipëria – anëtare e NATO-s, me ushtri të zhveshur

Në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe kur retorika politike flet për “modernizim të ushtrisë”, denoncimet e ushtarakëve zbulojnë një realitet të mjerë. Pa armë, pa uniforma, pa të drejta, me paga të ulëta, dhe nën trysni të përhershme, këta burra dhe gra që i shërbejnë vendit janë lënë në harresë totale.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje

• Ku kanë shkuar fondet e tenderëve për uniformat ushtarake?

• Pse Ministria e Mbrojtjes nuk ka siguruar uniforma prej pesë vitesh?

• Pse oficerët dhe ushtarët duhet të blejnë pajisje nga dyqane private që dyshohet se kanë lidhje me vetë institucionin?

• Përse hesht Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përballë këtyre akuzave?

• A do të hetojë Prokuroria këtë skandal të rëndë?

Publikuar nga Publik Media