Shqipëria po shkon drejt një katastrofe demografike që kërcënon themelet e saj ekonomike dhe sociale, por institucionet shtetërore sillen si spektatorë në një krizë që po përvijohet me shpejtësi dramatike. Një analizë e publikuar nga Banka e Shqipërisë, bazuar në studime të FMN-së, ka ngritur zyrtarisht alarmin për pasojat e rënda që sjell ulja e numrit të popullsisë dhe plakja e saj – një kambanë që bie fort, por që deri tani ka rënë në veshë të shurdhët në qeveri.
Forca e punës po tretet, popullsia po plaket, ekonomia po shkon drejt rrudhjes – kush do ta mbajë më Shqipërinë në këmbë?
Nga 1.93 milionë në vitin 2001, popullsia në moshë pune ka rënë në vetëm 1.55 milionë në vitin 2023. Kjo do të thotë më pak duar që punojnë, më pak kontribute në ekonomi, më shumë barrë mbi sistemin e pensioneve dhe shëndetësisë. Dhe ndërsa vendi boshatiset, qeveria nuk ka një plan real për të frenuar këtë rrjedhje gjaku ekonomik.
Në vend të politikave për të mbajtur të rinjtë në vend, kemi propagandë. Në vend të reformave për pensionet, kemi heshtje. Në vend të një strategjie për punësimin, kemi “evente” dhe selfie.
FMN dhe Banka e Shqipërisë paralajmërojnë se mungesa e ndërhyrjes strukturore do të sjellë ulje të rritjes ekonomike dhe pamundësi për të arritur standardet e Bashkimit Europian. Në thelb: Shqipëria po vdes ngadalë dhe qeveria ka zgjedhur të shikojë nga ana tjetër.
Zgjidhja është e qartë, por mungon vullneti politik:
- Politika të forta kundër emigrimit – jo me spote dhe flamuj, por me paga dinjitoze, kushte jetese dhe besim te drejtësia.
- Reformë rrënjësore e sistemit të pensioneve – që të mos shpërthejë si një bombë sociale në dekadën e ardhshme.
- Nxitje e investimeve në arsim profesional dhe teknologji – për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
- Thithje strategjike e punëtorëve të huaj atje ku ka nevojë, me politika që ruajnë interesin kombëtar dhe balancat sociale.
Nëse kjo qeveri dhe ky shtet nuk reagojnë tani, do të jetë shumë vonë. Nuk do të jetë më çështje statistikash, por e ardhmes së kombit. Do të jetë Shqipëria – një vend pa të rinj, pa zhvillim, pa shpresë. Dhe përgjegjësit do të jenë ata që sot heshtin.