E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
OSBE ndihmon SPAK me pajisje teknologjike për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore
Lajme

OSBE ndihmon SPAK me pajisje teknologjike për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore

Si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), sot Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi sete pajisjesh kompjuterike për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Pajisjet – 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë – do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Grupet në terren do të mbulojnë të 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të përbëhen nga prokurorët e SPAK-ut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), agjentë financiarë dhe personel mbështetës. Ato do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me keqpërdorimin e administratës publike dhe të infrastrukturës shtetërore, si edhe me përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje.

Kjo asistencë teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve, të cilat synojnë forcimin e aftësive të prokurorëve të posaçëm, hetuesve financiarë dhe hetuesve të BKH-së për mbledhjen, analizimin dhe hetimin e provave që lidhen me krimet zgjedhore.

Gjatë ceremonisë së dhurimit, në mjediset e SPAK-ut, Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore.

“Sot nuk ka të bëjë vetëm me pajisjet – ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve që kontribuojnë në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Dua të përgëzoj SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore. Shpresojmë që rritja e bashkërendimit dhe veprimit nga institucionet përgjegjëse do të shkurajojnë shkelësit e mundshëm të ligjit dhe jemi të bindur se puna juaj do të kontribuojë në sigurimin e zgjedhjeve pa ndërhyrje të paligjshme”, tha Tarran.

“Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha Dumani.

Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.

Prezenca e OSBE-së mbetet e angazhuar për të mbështetur institucionet shqiptare në forcimin e mëtejshëm të integritetit zgjedhor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.