Goditje e radhës për Veliajn: Elona Lalaj Xhelilaj zëvendëson Toni Benin në krye të Policisë Bashkiake

 

Një tjetër lëvizje e rëndësishme raportohet në Bashkinë e Tiranës, në atë që duket si një “pastrim” sistematik i njerëzve të afërt të Erion Veliajt nga pozicionet kyçe. Burime nga bashkia  bëjnë me dije se Elona Lalaj Xhelilaj pritet të emërohet si Drejtuese e re e Policisë Bashkiake të Tiranës, duke zëvendësuar Toni Benin, i cili u shkarkua një muaj më parë.

Toni Beni, i komanduar në këtë post, konsiderohej prej kohësh si një ndër njerëzit më të afërt të Veliajt dhe një hallkë e rëndësishme në strukturën e kontrollit të tij në terren. Largimi i tij dhe zëvendësimi me një emër të afërt me qeverinë qendrore, sinjalizon vijimin e “operacionit të ndërhyrjes nga lart” në Bashkinë e Tiranës.

Ky zhvillim vjen pas përplasjes së hapur për postin e nënkryetarit të Bashkisë, ku emërimi i Sara Goxhajt nga Veliaj u anulua nga Kryeministri Edi Rama, i cili më pas vendosi të preferuarën e tij, Anuela Ristani. Lëvizja e fundit me drejtuesin e Policisë Bashkiake shihet si pjesë e të njëjtës strategji për të rimarrë kontrollin e bashkisë më të madhe në vend, në një kohë kur Veliaj ndodhet politikisht në një pozitë të dobët pas valës së hetimeve të SPAK.

Emërimi i Elona Lalaj Xhelilajt duket të jetë një zgjedhje direkte e Ramës, i cili vijon të tërheqë fijet në distancë dhe të ridefinojë qartësisht kontrollin mbi institucionet lokale në Tiranë. Kjo lëvizje është një tjetër sinjal i qartë se epoka e Veliajt në Bashkinë e Tiranës është drejt perëndimit.

Publikuar nga Publik Media