Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” tha se qyteti ku ai garon për zgjedhjet e 11 Majit është shndërruar në një qytet bandash. Ai denoncoi se po hidhen lekë masivisht për të blerë vota, teksa administrata detyrohet të dalë në takimet e PS.
Sipas Alizotit, problemi kryesor është Policia e Shtetit, që sipas tij është në shërbim të pushtetit. Ai thotë se pavarësisht denoncimeve që janë bërë gjatë fushatës, policia nuk ka reaguar.
“Elbasani është qytet bande, qytet narko fare. Bandat në të gjithë Shqipërinë kanë gisht, sepse ata duan siguri dhe sigurinë ja jep shteti. Njerëzit blihen masivisht, hidhet para për votën, pastaj është kërcënimi. Kjo për mua ka nisur me kohë. Unë them gjithmonë, që në Shqipëri nuk është problem banda, por i pari i vendit që i përdor për pushtetin e tij. Banda kriminale ka në cdo vend të botës, por një pjesë e tyre qëndrojnë në fushën e tyre, por kur ato përfshihen në destabilitetin e vendit, ato kthehen banda politike. Policia e Shtetit është problemi, është një bandë legale. Policia është totalisht në shërbim të pushtetit”, – tha Alizoti.
Më tej, Alizoti paraljmëroi se prania e Chris LaCivita do të sjellë surpriza për Partinë Demokratike. Sipas tij, lajmi “bombë” do të jetë në javën e fundi të fushatës, kur do të krijohet edhe një perceptim tek qytetarët.
“Unë mendoj se do ketë ende surpriza pozitive për forcë tonë. Në fushatë elektorale javët e fundit janë dexhizive. Lajmi bombë do të jetë javën e fundit që të krijojë më shumë perceptim tek njerëzit. Unë shikoj një ngritje frymë të habitshme. Ato mitingje janë mitingje pa nëpunës, janë natyrale. Ato pallate sportesh që mbushen plot janë natyre. Kjo forcë politike ishte drejt zhbërjes dhe sot gjeti vitalitetin. Kjo forcë është i vetmi shans që të ikë ky njeri.” – tha Tomor Alizoti.