VIDEO/ Gazetari Artan Hoxha denoncon asfaltin elektoral të natës

Çokokremi elektoral që lyen rrugët dhe mashtron qytetarët

Ora 02:00 pas mesnate. Dritat e rrugës të zbehta. Rrulat punojnë me ritmin e betejës.

Kamionët derdhin asfalt sikur po shpërndajnë çokokrem elektoral. Dhe mbikëqyrësit? Jo inxhinierët e ARRSH-së, por policia bashkiake  ajo e një kryebashkiaku që është në burg dhe një kryeministri që është në panik.

Ky nuk është një fragment nga një roman politik grotesk. Është realiteti i netëve të fundit në Tiranë, i dokumentuar nga gazetari investigativ Artan Hoxha. Në javën e fundit të fushatës elektorale, qeveria ka hedhur në sulm gjithë arsenalin e saj propagandistik — dhe asfalti është arma e preferuar.

“Çokokremi” që lyen rrugët për t’u fotografuar ditën tjetër, është vaji i ullirit i një fushate që skuqet natën dhe gënjen ditën.

Screenshot

Asfalti i panikut

Në rrethrrotullimin e Unazës së Madhe, në hyrje të Freskut, kamerat nuk janë të mirëpritura. Punëtorët nxitohen të mbyllin segmentet sa më parë. Ndërtimi nuk ka më të bëjë me planifikim urban, por me përgatitjen e një seti fotosh për rrjetet sociale të kandidatëve. Me një narrativë të njohur: “Po punojmë edhe natën për ju!”

Jo. Po punoni natën që të mos ju shohin qytetarët, sepse ditën do duhej të përgjigjeshit për mungesën e cilësisë, për tenderët sekretë dhe për firmat kliente.

Policia bashkiake  roje të propagandës

Çfarë bën policia bashkiake në këtë skemë? Nuk ndihmon qarkullimin, nuk mban rendin. Bën censurë rrugore. Largon qytetarë kureshtarë dhe gazetarë që duan të shohin me sytë e tyre se çfarë “punimesh” po ndodhin natën. Janë kthyer në roje të shumëfishta: të asfaltit, të propagandës dhe të pushtetit të përkohshëm.

Ironikisht, është i njëjti pushtet lokal që u kap në vjedhje, në afera, në abuzime me tenderë. Dhe ndërkohë që kryebashkiaku ndodhet në burg, makineria vazhdon të pompojë asfalt për vota, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Nga “Rilindja Urbane” tek “Rilindja e Natës”

Ky model nuk është i ri. Është vetëm më i shfrenuar. Prej vitesh, çdo periudhë zgjedhore shoqërohet me shpërthim të investimeve publike – që më shumë se investime, janë manipulime vizuale. Shtresa e asfaltit nuk mbron rrugën, por mbulon dështimin. Dhe kur vendoset natën, është sepse frika nga qytetarët është më e madhe se dëshira për transparencë.

Asfalti zgjedhor nuk është investim. Është mashtrim me fonde publike në shërbim të pushtetit politik.

Nga makina e asfaltit, në makinën e votës

Kur politika e ka humbur rrugën me qytetarët, e vetmja rrugë që ndërton është ajo që kalon mbi propaganda. Dhe këtë rrugë, qeveria po e shton me nxitim, jo për të shkuar diku  por për t’ia dalë të mbajë pushtetin edhe pak më gjatë.

 

Publikuar nga Publik Media