Gjunkshi çon në SPAK kryebashkiakun e Dibrës, Rahim Spahiu dhe drejtorin e Shërbimeve,Bedri Kamberi

Kandidati për deputet i PD në qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi, është shprehur nga SPAK se  ka paraqitur sot një kallëzim, ku ka denoncuar krime zgjedhore të kryera nga Rrahim Spahiu, Kryetari i Bashkisë së Dibrës, dhe Bedri Kamberi, Drejtor i Shërbimeve të Bashkisë.

Sipas Gjunkshit, të dy zyrtarët janë kapur në flagrancë duke shfrytëzuar asetet publike në periudhën e fushatës zgjedhore për të manipuluar procesin zgjedhor.

Gjunkshi theksoi se kjo praktikë është përdorur për të intimiduara votuesit dhe për të ushtruar presion mbi administratën publike dhe ndihmën ekonomike që po u ofrohet qytetarëve të Dibrës. Ai shtoi se, megjithëse ka pasur 12 vjet mundësi për të zhvilluar infrastrukturën rrugore, kjo ka mbetur në kushte të papranueshme.

Xhemal Gjunkshi nga SPAK: Siç jeni në dijeni, unë erdha sot këtu pranë SPAK, lidhur me një kallëzim që kam bërë për një krim zgjedhur të bërë nga kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu dhe drejtorit të Shërbimeve Bedri Kamberi.

Të dy këta persona janë kapur në flagrancë në bazë të kallëzimit që kam bërë, duke bërë shfrytëzim dhe duke përdorur asetet publike pikërisht në kohën e fushatës zgjedhore. Këto kanë patur të gjithë kohën e mjaftueshme dhe të nevojshme që këtë rrugë ta ndërtonin për 12 vjet, mirëpo ashtu siç ka ndodhur në gjithë Shqipërinë, edhe në qarkun e Dibrës, infrastruktura rrugore lë shumë për të dëshiruar.

Këta po bëjnë gjithçka në këto momente nëpërmjet përdorimit të aseteve publike, nëpërmjet intimidimit të votuesve, nëpërmjet presionit të administratës publike në raport me vendet e punës që ato kanë. Presion i jashtëzakonshëm po bëhet edhe në lidhje me ndihmën ekonomike që po u jepet banorëve dhe qytetarëve të Dibrës.

Ajo është një ndihmë ekonomike tepër qesharake. Ka qëlluar që gjatë gjithë kësaj periudhe, unë në gjithë fshatrat e Dibrës që kam vajtur ka raste që është dhënë dhe 16 mijë lekë të vjetra në muaj për pesë persona.

Megjithatë, unë jam këtu për ti thënë STOP, drejtuesit të Bashkisë së Dibrës, për ti thënë qytetarëve të Dibrës që unë jam një zë i fortë i tyre për ti mbështetur në kauzën që ne kemi, për të vendosur rend, për të vendosur siguri, për rritjen e mirëqenies.

Këta që janë vënë në shfrytëzim, këta janë çyrykët e kryeçyrykut. Por unë i them çyrykëve dhe kryeçyrykut Edi Rama, që përgjigjen më të mirë nga qytetarët e Dibrës do ta marësh më datë 11 Maj. Atë ofesë që i ke bërë Dibrës, s’ka arritur tia bëjë në shekuj, as Serbi e as kërkush.

Publikuar nga Publik Media