Arrestohen në Dubai tre bashkëpunëtorët e Talo Çelës

Tre persona në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Dubai.

Sipas policisë, tre të arrestuarit: Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika janë të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çelës.

Konkretisht, Ervis Daka akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij. Ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S. Po ashtu ka strehuar dhe ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.

Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A. Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela për t’u fshehur.

Ndërsa Ado Xhika akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë. Po ashtu ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Çela.

Kujtojmë se këtë javë nga Dubai është deportuar edhe Florenc Çapja, një eksponent i lartë i krimit në Elbasan i dënuar nga Gjykata e Posaçme me burgim të përjetshëm për dy vrasje, ndërkohë që ka dhe akuza të tjera penale ende në gjykim. Ai nuk u ekstradua por u deportua.

Emiratet nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë. Por sipas ish ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, EUROPOL-i ka hapur një zyrë të re para 6 muajsh në Dubai dhe po punon së bashku me autoritetet e Dubait dhe vendeve që ata kërkojnë, përfshirë Shqipërinë, Gjermaninë dhe vende të tjera, duke menduar dhe trajtuar me disa instrumente të tjera.

Pas deportimit prej të njëjtit vend të Plaurent Dervishajt e Julian Meçajt, gushtin e vitit 2024, duket se Dubai nuk është më streha e sigurt e bosëve shqiptarë të krimit.

“Policia e Shtetit/Vijon intensivisht operacioni “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapen në Dubai, 3 shtetas të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit T. Ç.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai, 3 faza të tjera të operacionit “The Wanted”. Konkretisht, u kapën shtetasit:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka informuar shtetasit që kanë tëntuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;
-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;
-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;
-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri”, njofton policia.

Publikuar nga Publik Media