Është vënë në pranga në Pire të Athinës Ardian Ahmetaj, 51 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Besmir Hidës në 2019, në një atentat të organizuar.
Policia e Shtetit bën me dije se si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi Ardian Ahmetaj, 51 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ahmetaj dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Besmir Hida.
Besmir Hida po pinte kafe në lokal kur iu bë atentati. Dy persona me maska ngjitën shkallët duke e qëlluar nga dy drejtime të ndryshme viktimën që po pinte kafe në lokalin mbi supermarketin që kishte në pronësi.
Vrasja e Hidës dyshohet se ka lidhje me zinxhirin e larjes së hesapeve me grupeve rivale famëkeqe të Lushnjes, Aldo Bares dhe Laert Haxhiut.
Viktima ishte daja i Zamir Latifit i vrarë 2017 më parë në një atentat. Latifi njihej në Lushnjë si shoku i ngushtë i nipit të Aldo Bares.