Ndërkohë që vijon numërimi i votave preferenciale për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, duket se ndër emrat më të votuar ka shumë surpriza.
Në Qarkun e Tiranës, atje ku demokratët kanë në total 13 mandate deputetësh, sipas përllogaritjeve paraprake, mundësinë për të marrë mandat nga lista e hapur e ka vetëm 1 emër.
Socialistët që numërojnë 19 mandate të fituara në Tiranë, kanë në garë në listat e hapura 7 emra që mund të marrin mandat deputeti.
Referuar votave preferenciale të numëruara deri tani, rezulton se Blendi Gonxhe rezulton emri më i votuar me mbi 8 mijë vota preferenciale dhe pas tij renditet Ervin Hoxha, ministri i Brendshëm me 4317 vota.
Ndërkohë Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku numërojnë përkatësisht 4287 dhe 4079 vota preferenciale, duke qenë ndër emrat më të votuar në Qarkun e Tiranës.
Më pas lista vijon me Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Ornaldo Rakipi, që përkatësisht numërojnë si vota preferenciale 3803, 3753 dhe 2807.
Emri surprizë, nëse mund të quhet kështu, është Loranca Hoxha, kandidate e listës së hapur të koalicionit ‘PD-ASHM’ që numëron 2454 vota preferenciale dhe pas saj Antonela Dedej e PS-së që numëron 1976 vota preferenciale.