Kreshnik Farruku i njohur edhe si Kreshnik Budlla ishte shpallur në kërkim prej vitit 2018 nga autoritetet italiane, që e konsideronin si drejtuesin e një organizate që kryente trafik ndërkombëtar droge.
Gjykata e Lartë ka liruar nga qelia Kreshnik Farrukun, i cili kërkohej nga autoritetet italiane. Farruku u arrestua në janar 2025 me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ai u arrestua në Manzë të Durrësit, në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes. Tashmë ndaj Farrukut ekziston vetëm masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ e vendosur nga Gjykata e Durrësit.
Gjykata e Durrësit kishte marrë në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm ndaj Kreshnik Farrukut, pasi Gjykata e Breshias në Itali, me vendimin nr.Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij në masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizate kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.
Ndaj 51-vjeçarit rëndojnë akuzat ‘organizata kriminale” dhe “trafikimi i lëndëve narkotike”.
Kreshnik Farruku i njohur edhe si Kreshnik Budlla ishte shpallur në kërkim prej vitit 2018 nga autoritetet italiane, që e konsideronin si drejtuesin e një organizate që kryente trafik ndërkombëtar droge. Ndërkohë ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet spanjolle për grabitje.
Farruku u arrestua vite më parë në një hotel që ndodhet në rrugën “Joan Maragall Chamartin”, pranë La Castellana, në Spanjë.
Mediat vendase shkruan aso kohe se kur atij iu afrua një agjent Policie, Farruku u përpoq të vërtetonte identitetin e tij me dokumente spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të tjerë. Më pas, Policia zbuloi se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme, për të shmangur zbulimin.
Ai dyshohet se është pjesë e klanit ‘Farruku’, një organizatë kriminale shqiptare që ishte e lidhur me vjedhje, trafikimin e kokainës dhe krime të tjera të lidhura me trafikun e drogës.
Në dhjetor të vitit të kaluar GJKKO deklaroi se konfiskoi 27 pasuri të dy personave, konkretisht Kreshnik Budllës dhe Erneo Farrukut, të cilat dyshohen se ishin vendosur nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Ndër pasuritë e konfiskuara janë disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.
Emri i Farrukut doli së fundmi edhe në komunikimet e Sky ECC në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga bisedat e transkriptuara, ish-deputeti i jepte informacione sekrete që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e SHISH.
Beteja ligjore
Më 2 prill 2025, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të revokojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Farrukut. Kjo erdhi pas zbulimit se komunikimet në aplikacionin SKY ECC, të cilat ishin përdorur si prova kundër tij, në fakt i përkisnin vëllait të tij, Roland Farruku.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, Farruku nuk u lirua nga burgu. Kjo për shkak se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “arrest në burg” për qëllime ekstradimi në Itali, ku ai përballet me akuza për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në datë 20.05.2025, Farruku ka lënë ambientet e paraburgimit, ndërsa do të qëndrojë me masë sigurimi ‘arrest shtëpie’ deri në përfundim të procedurës së ekstradimit.
Në seancën e 7 janarit 2025, gjykata e Durrësit kishte marrë në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm ndaj Kreshnik Farrukut dhe Erneo Farrukut, vëllai i tij, pasi Gjykata e Brescia, Itali, me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga legjislacioni penal italian.
Ndaj 51-vjeçarit, i njohur edhe si Kreshnik Budlla, rëndojnë akuzat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.