Ndërhyrjet kirurgjikale kthehen në tragjedi

Dy të vdekur brenda 48 orësh në klinika private

Brenda vetëm 48 orësh, dy jetë të humbura – një shqiptare dhe një italian – pas ndërhyrjeve kirurgjikale në klinika private në Shqipëri, duke vënë alarmin për sigurinë e pacientëve në këto institucione që operojnë me pak kontroll dhe shumë reklamë.

Valbona Xha Zejno, 54 vjeç, ndërroi jetë më 22 maj pas një operacioni për ngushtimin e stomakut në spitalin privat “Villa Alba” në Durrës. Operacioni u krye nga kirurgu Ilir Shani, tashmë nën hetim për neglizhencë mjekësore. Vetëm një ditë pas ndërhyrjes, pacientja humbi jetën.

Dy ditë më pas, më 24 maj, një 63-vjeçar italian humbi jetën pasi kishte kryer një ndërhyrje dentare në klinikën “Health Dental” në Tiranë, ku kishte mbushur tre dhëmballë. Ndërhyrja rezultoi fatale, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore pas komplikimeve.

Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje stafet mjekësore të përfshira. Por kjo nuk mjafton.

Në një treg shëndetësor të privatizuar dhe të pambikëqyrur si ai shqiptar, ku ndërhyrjet kirurgjikale shpesh promovohen në rrjete sociale si produkte bukurie, këto dy raste janë kambana alarmi.

Publik.al do të ndjekë dosjet e hetimit dhe do të sjellë në vijim kush mban përgjegjësi dhe pse në Shqipëri jeta e pacientit nuk vlen më shumë se një faturë klinike.

Publikuar nga Publik Media