Nisin hetimet për administratorin e minierës, drejtuesin teknik dhe përgjegjësin e turnit

Një ditë pas tragjedisë në fshatin Katjel të Prrenjasit  ku humbi jetën minatori Sajmir Bego, 57-vjeç, i cili ishte dhe kryetar i sindikatës së minatorëve në atë zonë, autoritetet kanë nisur hetimet për administratorin e minierës, drejtuesin teknik dhe përgjegjësin e turnit.

Screenshot_2

Policia e Librazhdit bën me dije  se “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin Gëzim Balla, 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin Hysni Kllogjri, 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin Gëzim Kllogjri, 62 vjeç.”

Njoftimi i policisë

“Librazhd/Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Katjel, ku gjatë punës në minierën e kromit ka rrëshqitur një masiv minerali, dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi S. B., 57 vjeç, grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë ka vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin G. B., 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin G. K., 62 vjeç.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.”

Sipas policisë, vdekja e 57-vjeçarit erdhi si pasojë e rrëshqitjes së masivit të mineralit.

Ndërkohë administrohet i minierës, Gëzim Balla tha se ishte shembur tavani i galerisë, duke i rënë në kokë një gur.

Gjatë ditëve të fundit në galeri është punuar për të krijuar kushte optimale për punë. Sot rreth mesditës gjithçka ka qenë gati për rifillimin e procesit normal të punës. Drejtuesi teknik i kompanisë, Hysni Kllogjri, ka inspektuar kushtet e sigurisë në galerinë e minierës dhe para fillimit të punës ka trajnuar minatorët si zakonisht për të filluar punën, duke ju kujtuar zbatimin e të gjitha standardeve të sigurisë gjatë punës në galeri. Siguria e jetës së minatorëve është dhe do të jetë një nga parimet tona më të rëndësishme në këtë sipërmarrje.

Përgjegjës turni Gëzim Kllogjri, në mesditë, më ka njoftuar për aksidentin tragjik ku një nga minatorët ka humbur jetën. Kjo ngjarje na ka shokuar dhe ndjehem mjaft i lënduar. Paraprakisht jam informuar se nga tavani i galerisë ka patur shembje dhe minatori 58 vjeçar është aksidentuar me vdekje, pasi është goditur në kokë nga një gur” – u shpreh Balla për BW.

Publikuar nga Publik Media