Një grup i mbështetur nga SHBA dhe i aprovuar nga Izraeli, Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), ka nisur shpërndarjen e ndihmave në Gazë, përkundër kundërshtimeve nga OKB-ja, shumica e organizatave humanitare dhe dorëheqjes së njërit prej drejtuesve të tij.
GHF synon të zëvendësojë sistemin e shpërndarjes së udhëhequr nga OKB-ja me një rrjet qendrash të mbikëqyrura nga kontraktorë të armatosur, të vendosura pranë pozicioneve ushtarake izraelite – një model që, sipas kritikëve, do të kufizojë qasjen e popullsisë në ndihma dhe do ta përdorë ushqimin si armë për qëllime politike.
Aktualisht janë ngritur katër qendra ndihmash, kryesisht në jugun e Gazës, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë ndodhet në veri. Ndihmat po transportohen me automjete të blinduara nga kufiri i Gazës dhe GHF thotë se planifikon të ndihmojë mbi 1 milion njerëz deri në fund të javës.
Deri në dorëheqjen e tij, GHF drejtohej nga veterani amerikan Jake Wood. Financimi i fondacionit mbetet i paqartë – GHF pretendon se ka marrë mbi 100 milionë dollarë nga një shtet i BE-së, por nuk jep detaje. As SHBA-ja e as Izraeli nuk e pranojnë financimin e tij.
Organizatat e ndihmës, përfshirë UNICEF-in dhe Këshillin Norvegjez për Refugjatët, e kundërshtojnë fuqishëm këtë mekanizëm, duke e konsideruar të rrezikshëm dhe në shkelje të ligjeve humanitare. Ato paralajmërojnë se plani do të detyrojë zhvendosjen e popullsisë në zona të caktuara dhe do të minojë përpjekjet ekzistuese për ndihmë të pandikuar.
Pavarësisht pretendimeve të GHF-së se do të veprojë në përputhje me parimet humanitare dhe pa përfshirje në zhvendosje masive, organizatat ndërkombëtare thonë se ndihmat nuk po arrijnë ku duhet dhe standardet e ushqimit janë më të ulëta se ato të emergjencës.