Nga 31 marsi 2025, personat fizikë që kanë realizuar për vitin 2024 fitim tatimor mbi 14 milionë lekë, do të paguajnë tatim me normë progresive:
- 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë
- 23% për shumën mbi këtë kufi.
Shembull: Nëse një individ ka fituar 20 milionë lekë, do të paguajë 2.1 milionë lekë për 14 milionët (15%) dhe 1.38 milionë lekë për pjesën shtesë prej 6 milionësh (23%) — në total 3.48 milionë lekë. Më parë, kjo shumë tatohej me 15% në tërësi, pra 3 milionë lekë.
Kjo rritje e barrës tatimore synon të barazojë regjimin e tatimit për personat fizikë me atë të shoqërive tregtare (shpk/sha), por ndryshe nga këto të fundit, individët nuk përfitojnë reduktimin prej 8% në rastet kur nuk shpërndajnë dividend.
Sipas të dhënave të Tatimeve, më pak se 400 individë në të gjithë vendin preken nga ky ndryshim. Ata janë njoftuar përmes mesazheve zyrtare.
Ky regjim i ri bazohet në Ligjin nr. 29/2023 dhe përfshin vetëm fitimin neto (pas zbritjes së shpenzimeve të lejuara), jo të ardhurat bruto. Ndërkohë, individët me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit përjashtohen nga tatimi deri në vitin 2029.