Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim zyrtar nga Perandori i Japonisë, një ngjarje që shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi rëndësinë e këtij takimi duke e cilësuar atë si një nder të veçantë. Ajo theksoi se lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi baza të forta të respektit, besimit dhe vlerave të përbashkëta.
“Miqësia e thellë me Japoninë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy shteteve tona janë dëshmi e një partneriteti që është zhvilluar ndër vite mbi baza të qëndrueshme dhe vlera të përbashkëta,” shkroi Presidentja Osmani.
Ajo shtoi gjithashtu se populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ka ofruar ndër vite në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe stabilitetit.
Takimi me Perandorin konsiderohet një simbolikë e rëndësishme për marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë, të cilat kanë njohur përparim të qëndrueshëm që nga vendosja e tyre zyrtare.